2007-04-20 18:23:10

U torturuan mizorisht, tre të krishterët e vrarë në Turqi nga esktremistët islamikë. Kard Bertone: janë martirë të kohëve tona.


(20.04.2007 RV)RealAudioMP3 Mësohen hollësira të reja rrënqethëse mbi vrasjen e tre të krishterëve evangjelikë të therur të mërkurën e kaluar në Malatia të Turqisë nga një grup ultrafanatik islamikësh. Ndërkaq policia është në kërkim të shtatë personave të tjerë, që ka mundësi të kenë qenë të lidhur me pesë vrasësit, të cilët tashmë kanë pranuar se janë autorë të krimit.
Para se të thereshin, dy shtetasit turq e shtetasi gjerman, që punonin në një shtëpi botuese të krishterë, u torturuan mizorisht për tri orë e u gjymtuan rëndë”. Kështu shkruan sot shtypi turk, që citon burime të spitalit ku u çuan viktimat. “Eshtë e qartë – saktësuan mjekët që bënë autopsinë e tri kufomave, se plagët e shumta të tmerrëshme që pamë në trupat e vdekur, ishin pasojë e torturave. Trupi i shtetasit gjerman, posaçërisht, ishte prerë me thikë në 156 vende”.
Viktimat - sipas pohimit të fajtorëve – u munduan kështu, që vdekja e tyre të bëhej mësim i mirë për të gjithë armiqtë e Islamit.
Krimi është dënuar nga mbarë bota, e posaçërisht nga Bashkimi Evropian. Lajmi e ka tmerruar edhe Myftiun e Madh të Turqisë, i cili e shikon këtë akt barbar si ‘tradhti kundër Islamit’, ndërsa kryeministri turk Erdoan, theksoi se ata që përgjigjen për këtë masakër, duhet të gjykohen e të dënohen.
E ndërsa vijon kërkimi i ethshëm i shtatë fajtorëve të tjerë, të lidhur me pesë vrasësit, shtypi vendas pohon se kriminelët patën inskenuar edhe një vit më parë një manifestim kundër shtëpisë botuese, të specializuar në botimin dhe përhapjen e Biblës.
Mbi këtë vrasje, që nuk mund të mos prekë thellë ndërgjegjet e të gjithë njerëzve vullnetmirë, pavarësisht nga vendi ku jetojnë e feja që praktikojnë, të ndjekim komentin e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, shprehur gjatë një takimi që u mbajt dje me rastin e 80-vjetorit të ditëlindes së Benediktit XVI, në teatrin Argjentina të Romës:“Vijojnë, për fat të keq, martirët edhe në kohën tonë. Por e keni dëgjuar edhe grigjën e vogël të të krishterëve të Turqisë, që ripohoi vullnetin, gëzimin e entuziazmin për të jetuar e për ta dëshmuar Jezu Krishtin edhe në Turqi. Besoj se i gjithë populli turk duhet ta ketë dënuar këtë gjest të çmendur e fryt të një pakice fanatike. Nuk duhet, prandaj, të dëmtohen arritjet e vizitës së Papës në Turqi, si përpjekje për njohjen e krishterimit nga populli turk, që solli një afrim real ndërmjet dy feve.







All the contents on this site are copyrighted ©.