2007-04-20 18:22:38

Benedikti XVI priti presidentin e Sri Lankës: theksoi rrugën e dialogut e të respektimit të të drejtave për rivendosjen e paqes në vend.


(20.04.2007 RV)RealAudioMP3 Respektimi i të drejtave të njeriut e bisedimet janë e vetmja rrugë për të dalë nga shtegu i verbër i konfliktit të armatosur. Këtë theksoi sot Papa, duke pritur në audiencë presidentin e Republikës socialiste demokratike të Sri Lankës, Mahinda Rajapaksa. Lidhur me përmbajtjen e bisedimeve private ndërmjet Papës dhe presidentit aziatik, që zgjatën 20 minuta, në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Vatikanit saktësohet: “Në dritën e situatës aktuale në Sri Lanka, u ripohua se është e nevojshme të respektohen të drejtat e njeriut dhe të rifillojnë bisedimet, duke e parë këtë si të vetmen rrugë në të cilën duhet ecur, për t’i dhënë fund dhunës që po e mbyt në gjak ishullin. Kisha katolike, e cila jep një kontribut të ndjeshëm në jetën e vendit, do ta thellojë më tej impenjimin e saj për formimin e ndërgjegjeve, duke dëshiruar vetëm një gjë: të mirën e përbashkët, pajtimin e paqen”.
Pas takimit me Benediktin XVI, presidenti srilankez u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone.
Presidenti i Sri Lankës shoqërohej nga bashkëshortja Shiranthi, katolike, dhe nga disa ministra, tre prej të cilëve, katolikë
Kujtojmë se katolikët në Sri Lankë janë pakicë, rreth 370 mijë të pagëzuar, që përbëjnë 7, 6% të popullsisë së përgjithshme, ndërsa 75% e kësaj popullsie është e fesë budiste.Delegacioni srilankez i dhuroi Benediktit XVI një vazo artistike argjëndi, Papa dhuroi medalje të papnisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.