2007-04-19 18:09:02

Sot Kisha festoi dyvjetorin e Papnisë së Benediktit XVI.


(19.04.2007 RV)RealAudioMP3 Ishte ora 17. 50 e datës 19 prill, dy vjet më parë: nga oxhaku i Kapelës Sikstine nisi të dalë një tym me ngjyrë të papërcaktueshme. Pastaj, papritmas, tymi u bë krejt i bardhë. Ishte zgjedhur Papa! Nisi kështu papnia e Benediktit XVI, që u thirr për të zënë vendin e Gjon Palit II, i cili i priu Kishës për afro 27 vjet. Papa Racinger, i 265-ti Vikar i Krishtit, Papa i tetë gjerman në histori, në dy vjet shërbimi papnor ka takuar 7 milionë e gjysëm njerëz, ka bërë tre shtegtime italiane e pesë ndërkombëtare: ndërmjet tyre, kujtojmë vizitën në Aushvic e në Xhaminë Blu të Turqisë. Ka shkruar Enciklikën ”Deus caritas est”; Nxitjen Apostolike mbi Eukaristinë dhe librin “Jezusi i Nazaretit”, i cili sapo ka dalë në librari. Ta ndjekim hap pas hapi Papën në këto dy vjet Papnie:
Habemus papam …. – është njoftimi që dha dy vjet më parë kardinali protodikaon, Horhe Arturo Medina Estevez.
Teologu i ri Jozef Racinger dëshironte t’i shërbente Zotit duke u bërë mësues… lutja e të përvujtit përshkon retë.. u bë katekist i botës:
“Të dashur vëllezër e motra, pas Papës së madh, Gjon Palit II, zotërinjtë kardinaj më zgjodhën mua, punëtorin e përvujtë e të thjeshtë të vreshtës së Zotit”. (Fjalët e para të Benediktit XVI)
Thjeshtësia është një nga tiparet kryesore të Benediktit XVI: fjala e tij është e qartë, e qetë, e thellë, prek zemrat e tund ndërgjegjet. E butë dhe e fortë njëkohësisht. Flet për ligështinë e tij. E na kërkon të lutemi për të, që të mësojë t’i dojë të gjithë, që të mos ikë nga frika, përballë ujqërve. E na kujton se është Zoti ai, që e mbart Kishën e se edhe ne duhet ta mbartim njëri-tjetrin, të gjithë, duke përfshirë edhe papën.
Ky është misteri i Kishës shtegtare në histori - drejt Zotit të vet - Kishës, e cila sot falënderon Zotin Jezus, pse i dha një Bari të përvujtë e buzëqeshur, që e nisi shërbimin e tij duke e drejtuar me dashuri në shtigjet e shpresës:
Dashuria për armikun është bërthama e ‘revolucionit të krishterë’, revolucion që nuk bazohet mbi strategjitë e pushtetit ekonomik, politik ose mediatik. Revolucioni i dashurisë, i një dashurie që nuk mbështetet plotësisht mbi forcat njerëzore, por është dhuratë e Hyjit, fitohet vetëm duke ia besuar vetveten pa asnjë kusht mirësisë së tij të mëshirshme. Ja e reja e Ungjillit, që e ndryshon botën pa bërë zhurmë. Ja heroizimi i të vegjëlve, që besojnë në dashurinë e Zotit dhe e përhapin atë edhe me çmimin e jetës së tyre, duke coptuar kështu zinxhirët e padrejtësisë”. (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 18. 02. 2007).
Benedikti XVI thekson me forë arsyetimin e fesë, duke ftuar edhe ata që nuk besojnë në dialogun e madh të së vërtetës: Zoti i Jezusit është aq pambarimisht i mirë, aq i vogël e aq i madh, sa t’i bindë të gjithë:
“Në se vështrojmë rrugëzgjedhjet e mëdha, zgjedhja e rrugës së krishterë është edhe sot më racionalja e më njerëzorja. Prandaj mund të përpunojmë me besim një filozofi, një vizon të botës, që bazohet mbi këtë përparësi të arsyes, mbi besimin se Arsyeja krijuese është dashuri e se kjo dashuri është Hyji”. (Takimi me të rinjtë në Sheshin e Shën Pjetrit, 06. 04. 2006)
Fjalimi i rëndësishëm në Universitetin e Regensburgut, i keqinterpretuar nga mjetet e komunikimit, të cilat vunë theksin mbi marrëdhëniet me Islamin, në të vërtetë i drejtohej sidomos botës perëndimore: ishte ftesë për të zgjëruar horizontin e arsyes, të cilin kultura moderne e ngushton vetëm në ato gjëra që mund të vërtetohen përmes eksperimentit, duke e bërë këtë botë të paaftë për të dialoguar me kultura e fe të tjera. Papa i nxit të gjithë të riprovojnë shijen e reflektimit dhe, duke iu drejtuar posaçërisht të rinjve, t’i bëjnë vetes pyetjen e madhe mbi Zotin, të kërkojnë fytyrën e tij:
“Të dashur miq të rinj – sa rëndësi të madhe ka kjo, pikërisht sot: të mos ia lejojmë vetes të luhatemi nga fryn era; të mos kënaqemi me atë që mendojnë, thonë e bëjnë të gjithë. Të hetojmë rreth vetes në kërkim të Zotit. Të mos lejojmë që në shpirtin tonë të zhduket dëshira për ta gjetur Zotin. Dëshira për Atë që është gjëja më e madhe. Dëshira për ta njohur Atë – fytyrën e Tij…”. (Mesha në të ‘Dielën e Larit’, 01. 04. 2007)
Kisha – pohon Papa – nuk ka interesa e nuk kërkon privilegje: dëshiron vetëm të kumtojë Krishtin e të mbrojë njeriun, të mbrojë më të vegjlit nga dhuna e më të mëdhenjve. Prej këndej, Benedikti XVI numëron parimet që nuk mund të vihen në diskutim, duke theksuar se mbrojtja e jetës, e familjes dhe e të drejtës së prindërve për të edukuar fëmijët nuk janë parime konfesionale, por të shkruara në vetë natyrën njerëzore. Mbi këto çështje – vëren Papa – ndërgjegja, nganjëherë e mposhtur nga mjetet e presionit kolektiv, nuk tregon vigjilencën e duhur. E prej këndej shpjegon pasojat shkatrrimtare të relativizmit, duke kritikuar absolutizmin dogmatik të atyre laicistëve të cilët duan t’i heqin Kishës të drejtën që të shprehet lirisht. Paditë shkandullin e varfërisë e të urisë, padrejtësitë e krijuara nga një farë globalizimi; neokolonializmin e vendeve të pasura, trafikun e armëve që vijon, në një atmosferë indiference pothuajse të përgjithshme. Ka posaçërisht për zemër Afrikën, Tokën Shenjte e i kushton vëmendje të posaçme Kinës, në sa nënvizon sa i rrezikshëm është për Evropën mohimi i rrënjëve të krishtera, gjë që do të thotë mohim i vetvetes. Shikon të keqen në botë e cila, pavarësisht nga progresi i bërë – nuk është mundur aspak; madje duket se pushteti i saj bëhet edhe më i fuqishëm, me gjithë përpjekjen e kotë për ta fshehur pas maskash.
Na mëson se vuajtja është një mister, të cilin Zoti e shpjegoi me Kryqin e të Birit:
“Krishti, duke vuajtur për të gjithë ne, i dha një kuptim të ri vuajtjes; e vuri në një përmasë të re, në një rend të ri: në atë të dashurisë... Është pikërisht vuajtja ajo që e djeg e e bën hi e pluhur të keqen me flakën e dashurisë - e nxjerr edhe nga mëkati, një lulëzim shumformësh të së mirës... Çdo vuajtje njerëzore, çdo dhimbje, çdo sëmundje, ka në vetvete premtimin e shëlbimit” (Takimi me Kurien Romake, 22. 12. 2005).
Papa punon papushuar për ekumenizmin dhe dialogun me fetë e tjera, posaçërisht, me Islamin: është nevojë jetike, thotë. Mendimi i tij është udhëheqës e konsekuent: i nxit katolikët të mos lëkunden, të mos e veçojnë Krishtin nga Kisha, të mos e pranojnë falsitetin e kompromiseve, as atë që sot quhet ‘e keqja më e vogël’. I fton të rizbulojnë heshtjen, meditimin e Biblës, lutjen, adhurimin eukaristik, duke u larguar nga çdo lloj aktivizmi të zbrazët:
“Lutja nuk është një element ndihmës, nuk është optional, por është çështje jete a vdekjeje. Vetëm ai që lutet, dmth që e lëshon plotësisht vetveten në dorë të Zotit me dashuri bijnore, mund të hyjë në jetën e amshuar, që është vetë Zoti”. (Lutja e Engjëllit të Tënzot e 04. 03. 2007).
Feja nuk është barrë që të shtyp: madje të varesh nga Zoti, do të thotë të jesh vërtetë i lirë, ndërsa nënshtrimi ndaj vullnetin e tij ‘të jep krahë për të fluturuar lart’ dhe e shkëput ‘unin’ tonë nga izolimi, për ta bërë ‘një në Krishtin’:
Zoti është dashuri e dashuria e tij është e fshehta e lumturisë sonë. Por për të hyrë në këtë mister dashurie, nuk ka rrugë tjetër, përveç asaj të Kryqit”. (Audienca e përgjithshme e 21. 02. 2007)
Benedikti XVI transmeton paqe, sepse e shuan etjen në burimin e paqes: në Zotin, Atin e Mirë, i cili nuk na braktis kurrë, as në ditët më të errta të jetës:
“Bota jonë është botë e frikës: frikës nga mjerimi e nga varfëria, frikës nga sëmundjet, nga vuajtjet; frikës nga vetmia, frikës nga vdekja. Mund edhe të rrëzohemi, por në fund të fundit biem në duart e Hyjit. E duart e Hyjit janë duar të mira”.(Vizita në Famullinë e Shën Marisë Ngushëlluese, 18. 12. 2005).







All the contents on this site are copyrighted ©.