2007-04-18 18:54:03

Feja, arsyeja e virtytet janë të nevojshme për t’i përngjarë Zotit: në audiencën e përgjithshme, Papa ndalohet tek mësimi i Klementit Aleksandrin


(18.04.2007 RV)RealAudioMP3 Feja e arsyeja janë dy krahë për të njohur të vërtetën: audiencën e përgjithshme Papa ia kushtoi mësimit të Klementit Aleksandrin i cili, në shekullin III, qe një nga flamurtarët e dialogut ndërmjet filozofisë greke e mesazhit të krishterë. Audienca e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në praninë e 50 mijë shtegtarëve, u zhvillua në një atmoferë jashtzakonisht festive. Besimtarët shfrytëzuan rastin e takimit tradicional të së mërkurës për t’i shprehur përsëri Papës urimet e tyre më të përzemërta për ditëlindjen dhe për përvjetorin e dytë të zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit.
‘Festat kaluan, por në këtë shesh më duket se është ende festë!”.
Benedikti XVI i falënderoi besimtarët për përzemërsinë me të cilën e rrethuan në festën e tij të dyfishtë.
Pastaj mbajti katekizmin kushtuar Klementit Aleksandrin. “Me dy krahët e fesë e të arsyes – tha Papa – mund të arrijmë në njohjen e thellë të së Vërtetës, që është Jezu Krishti, Fjala e Hyjit”. Duke ripropozuar mendimin e Aleksandrinit, Ati i Shenjtë nënvizoi kështu se vetëm njohja, e lidhur pazgjidhshmërisht me Zbulesën, mund të quhet gnozë e vërtetë. Është fjala për një ndërtesë të ngritur nga arsyeja nën shtytjen e fesë. Klementi - kujtoi Benedikti XVI – i ndante të krishterët në dy klasa: të thjeshtët, që e jetojnë fenë në mënyrë të zakonshme e gnostikët, që jetojnë një jetë të përsosur shpirtërore.
Në çdo rast, i krishteri, duke u nisur nga baza e fesë së përbashkët, përmes rrugës së kërkimit, udhëhequr nga vetë Krishti, mund e duhet të arrijë në njohjen e të vërtetave që formojnë përmbajtjen e fesë”.
Një njohje e tillë – vijoi Papa Racinger – bëhet në shpirt realitet i gjallë, lidhje dashurie që shndërron, bashkim me Logos. Klementi – shpjegoi më pas Papa – i rikthehet doktrinës, sipas së cilës qëllimi përfundimtar i njeriut është të bëhet i ngjashëm me Hyjin. Falë natyrës së ngjashme me të Tijën, mund t’i njohim realitetet hyjnore me të cilat njeriu bashkohet sidomos për shkak të fesë e, përmes praktikimit të virtyteve, mund të arrijë deri në kundrimin e Hyjit. Këtu Papa u ndal për të nënvizuar rëndësinë e cilësive morale:
Përngjasimi me Zotin dhe kundrimi i Tij nuk mund të arrihen vetëm me njohjen racionale: për këtë qëllim është e nevojshme të jetohet sipas Logos, janë të nevojshme virtytet. Veprat e mira duhet ta shoqërojnë njohjen intelektuale si hija që ndjek trupin”.
Dy janë virtytet e të krishterit të vërtetë, sipas Klementit Aleksandrin: i pari është ‘çlirimi nga pasionet’; i dyti, ‘dashuria që siguron lidhjen e thellë me Hyjin dhe kundrimin e Tij’. Dashuria – ripohoi Shenjtëria e Tij – të jep paqen e përkryer, sepse ai që do, është gati të bëjë edhe fljimet më të mëdha, deri te flijimi i jetës. Idealin etik të filozofisë së lashtë, dmth çlirimin nga pasionet – vuri në dukje Papa – Klementi e përkufizon rishtas, duke e lidhur ngusht me dashurinë, në procesin e përhershëm të përngjasimit me Hyjin. Kështu tek Aleksandrini gjejmë rastin e dytë të madh të dialogut ndërmjet mesazhit të krishterë dhe filozofisë greke, pas dështimit të pjesshëm të Palit në Areopag.
Për të tradita filozofike greke, gati e njëllojtë si Ligji për hebrenjtë, janë dy rrëke që përfundojnë tek vetë Logos-i”.
Papa kujtoi se edhe paraardhësi i tij, Gjon Pali II, në ‘Fides et Ratio” vë theksin tek shembulli që mund t’i japë Klementi Aleksandrin kohës sonë, duke i treguar vendosmërisht rrugën atij që dëshiron ta arsyetojë fenë e vet në Jezu Krishtin. Pikërisht lidhja ndërmjet dijes teologjike e dijes filozofike - kujton Enciklika mbi Fenë e Arsyen e Papës Vojtila - është një nga pasuritë më origjinale të traditës së krishterë në thellimin e së vërtetës së zbuluar.
Në përfundim Benedikti XVI përshëndeti shtegtarët e panumërt, ardhur nga të katër anët e botës, në mënyrë të veçantë, besimtarët e ardhur nga Toskana e Italisë së bashku me ipeshkvijtë e tyre, që këto ditë vijojnë vizitën ‘ad Limina Apostolorum’ në Vatikan.
“Koha jonë ka më shumë se kurrë nevojë për ndihmesën bujare të nxënësve të Krishtit për të përballuar sfidat aktuale kulturore, shoqërore e fetare. Mos u lodhni kurrë s’e thithuri nga Ungjilli dritën e forcën për të kontribuar në realizimin e rilindjes së vërtetë morale e shoqërore të krahinës suaj”. Më pas, duke iu drejtuar të rinjve të shumtë, të pranishëm në Shesh, Benedikti XVI i ftoi të jenë miq të Jezusit, farëhedhës të shpresës ndër zemrat e bashkëmoshatarëve. Së fundi Ati i Shenjtë bekoi pishtarin e maratonës-shtegtim të paqes ‘Gjon Pali II’, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore italiane, nga Vepra romake e shtegtimeve dhe nga Qendra sportive italiane, që do të zhvillohet nga data 23 deri më 28 prillin e ardhshëm në Betlehem të Jeruzalemit.







All the contents on this site are copyrighted ©.