2007-04-18 20:16:14

Benedikti XVI priti në audiencë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun.


(18.04.2007.RV)RealAudioMP3 Filloi sot paradite vizita në Itali e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, jug-koreanit Ban Ki-mun. Në orën 18. 00, kryetari i Pallatit të Qelqit, i shoqëruar nga bashkëshortja Juu Sun-Taek dhe nga një grup bashkëpunëtorësh, u prit në audiencë nga Benedikti XVI në Sallën e Fronit.
Bisedimi, i zhvilluar në bibliotekën e Pallatit Apostolik, zgjati 20 minuta.
Në komunikatën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë nënvizohet se audienca radhitet në serinë e takimeve të mëparshme të papëve, e posaçërisht të Gjon Palit II, me Sekretarët e Përgjithshëm të OKB-së, ndërmjet tjerash si shenjë e vlerësimit të Selisë së Shenjtë për rolin qëndror të Organizatës në ruajtjen e paqes në botë.
Zoti Ban Ki-mun deshi ta takonte Papën në kuadrin e udhëtimeve të tij të para në Afrikë, Evropë e Lindje të Mesme, pak muaj pas fillimit të detyrës (1 janar 2007) edhe për t’i drejtuar Atit të Shenjtë ftesën për të vizituar Kombet e Bashkuara.
Gjatë bisedimeve, Papa dhe zoti Ban Ki-mun prekën tema me interes të përbashkët, si besimi në shumanshmërinë dhe forcimin e dialogut ndërmjet kulturave, pa harruar të theksojnë situatat ndërkombëtare që meritojnë vëmendje të veçantë.
U kujtua gjithashtu edhe kontributi i Kishës Katolike dhe i Selisë së Shenjtë për zgjidhjen e konflikteve në vijim dhe për arritjen e marrëveshjeve ndërmjet kombeve.
Më pas shkëmbimi i dhuratave: Ban Ki- Mun i dhuroi Papës një vazo kristali me simbolin e Kombeve të Bashkuara, Benedikti XVI – medalje ari të papnisë.
Si përfundoi audienca me Papën, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone dhe me Sekretarin për marrëdhëniet me shtetet, kryeipeshkvin Dominik Mamberti.
Para audiencës me Papën, Ban Ki-Mun u takua së pari me presidentin e Republikës italiane, Gjorgjo Napolitano e, më pas, me minstrin e jashtëm, Massimo D’Alema. U prekën një mori temash, që nga situata në Irak e në Afganistan, tek nyja e pengjeve e problemi bërthamor iranian. Por duhet nënvizuar se në qendër të vëmendjes ishte reforma në OKB dhe beteja e nisur në Itali për një moratorium kundër dënimeve me vdekje, e cila mbështetet plotësisht nga numri 1 i Pallatit të Qelqit, sepse në përkim të plotë me mendimin e tij. Nesër, sipas programit, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të vizitojë një bazë të prapavijës të OKB-së në Brindizi.







All the contents on this site are copyrighted ©.