2007-04-17 17:15:54

U paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit, vizita e Benediktit XVI në dioqezën e Vigjevanos e të Pavisë – qytet ku ruhen reliket e Shën Agostinit.


(17.04.2007 RV)RealAudioMP3 Një qendër kulturore që dëshiron të promovojë dialogun dhe një llambë kushtimore, që do të bëjë përherë dritë para urnës së relikeve të Shën Agostinit: këto janë shenjat që do të mbeten në Pavi pas vizitës. Papa do të shkojë në dioqezën lombarde të shtunën, pasi të ketë vizituar dioqezën e Vigjevanos. Programi i këtij shtegtimi të Papës në Pavi e në Vigjevano, më 21 e 22 prill, u shpjegua sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit.
“Vigjevano është e vetmja dioqezë e Lombardisë, që nuk është vizituar nga Gjon Pali II, duhet ardhur”. Me këto fjalë iu përgjigj Benedikti XVI ftesës së ipeshkvit Klaudio Bagjini, dioqeza e të cilit shprehu dëshirën ta përshëndesë Papën para se të shkojë në Pavi. Me këtë rast kooperativa e këpucarëve të Vigjevanos, qytet i njohur për cilësinë e lartë të këpucëve, do të dhurojë 10 mijë palë këpucë për disa vende të varfëra, ndërsa një palë – tha Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - do t’i dhurohet vetë Papës. Në Bazilikën e Shën Pjetrit në Pavi, ku ruhen që nga shekulli VIII reliket e Shën Agostinit, Papa do të shkojë pasi të bekojë një qendër kulturore, siç e shpjegoi Eprori i përgjithshëm i Urdhërit të Shën Agostinit, atë Robert Prevost:
Ati i Shenjtë, para se të hyjë në bazilikën e Shën Pjetrit, do të bekojë projektin dhe gurin e parë të qendrës kulturore ‘Augustinianum’, e cila do të mbajë emrin e Benediktit XVI për shkak të lidhjeve të fuqishme shpirtërore e teologjike që e lidhin Papën Racinger me Atin e Kishës, Shën Agostinin.
Figura e ipeshkvit të Iponës e pati mahnitur djaloshin Jozef Racinger që kur ishte student në seminarin e Fraisingen, aq sa më pas ia kushtoi tezën e tij ekleziologjisë së Atit të Shenjtë të Kishës.
E vetë Papa, më 17 shkurtin e kaluar, në Seminarin e Madh Romak, tregoi si lindi ky admirim i thellë për Shën Agostinin:
“… më rrëmbeu, që në fillim, sidomos figura e Shën Agostinit e pastaj edhe rryma agostiniane në Mesjetë: Shën Bonaventura, françeskanët e mëdhenj, figura e Shën Françeskut të Asizit. Për mua ishte mahnitës posaçërisht humaniteti i madh i Shën Agostinit, i cili nuk pati mundësi të identifikohej që në fillim me Kishën, sepse katekumen, por iu desh të bënte luftë shpirtërore për të hyrë, pak nga pak, në Fjalën e Zotit, në jetën e Zotit, deri sa i tha ‘po’-në e madhe Kishës së tij. Më preku kjo rrugë kaq njerëzore, përmes së cilës edhe sot mund të shohim si nis rruga që të çon në lidhje me Zotin… Kështu më bëri për vete teologjia e tij shumë personale, e zhvilluar posaçërisht në predikime. E kjo është shumë e rëndësishme, sepse në fillim Agostini deshi të jetonte një jetë pastërtisht kundruese, të shkruante libra të tjerë filozofie… por Zoti nuk deshi, e bëri meshtar e ipeshkëv, e kështu gjithë jeta e tij e vepra e tij kaloi në dialog me një popull tepër të thjeshtë”. Por të kthehemi tek programi i shtegtimit: pasi të kryesojë kremtimin e Lutjeve Mbrëmësore para arkës prej mermeri, ku ruhen reliket e ipeshkvit të Iponës, Benedikti XVI do të ndezë një llampë kushtimore. Do të kujtojë, më pas, shtegtimin e Pishtarit të dialogut, ndezur në Tagaste të Algjerisë, ku lindi Ati i Kishës. Pishtari përshkoi të njëjtat etapa, të cilat i pati përshkuar edhe filozofi numid. Ky pishtar ishte në qendër të kremtimeve që Urdhëri i Shën Agostinit organizoi me rastin e 750 –vjetorit të historisë së tij, duke e parë flakën si simbol të kontributit agostinian për dialogun e paqen ndërmjet popujve, kulturave e feve.







All the contents on this site are copyrighted ©.