2007-04-17 17:45:23

Lajme nga bota


(17.04.07 RV)Al Kaida ka deklaruar se ka vrarë në Irak, të paktën 20 policë dhe punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, të rrëmbyer gjatë ditëve të kaluara. Organizata terroriste ka paralajmëruar edhe se në të ardhmen do të shfaqet në internet videoja e vrasjes së pengjeve. Ndërkaq, mbi situatën dramatike të refugjatëve irakianë flitet sot në Gjenevë në Konferencën e Komsariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët. Agjensia e Kombeve të Bashkuara ka nënvizuar se mbi 50 mijë irakianë largohen çdo muaj nga shteti arab. Shumë familje të krishtera largohen pasi marrin kërcënime serioze nga grupe islamike të lidhura me Al Kaidën.


Sulmi i radhës në Afganistan. Një automjet i Kombeve të Bashkuara u hodh në erë nga një minë afër qendrës së Kandaharit. Akti terrorist shkaktoi vdekjen e 5 punonjësve të OKB-së. Dhunë edhe në provincën e Heratit, ku shpërthimi i një bombe në një shkollë ka bërë që të humbin jetën 4 fëmijë.


Presidenti i Komisionit Evropian, Manuel Barroso uroi sot në një konferencë shtypi në Bruksel, që kriza politiko-institucionale e Ukrainës të zgjidhet me një kompromis ndërmjet presidentit filo-perëndimor, Viktor Jushçenko dhe kryeministrit filorus, Viktor Janukoviç. Ky i fundit ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë për t’u shprehur mbi ligjshmërinë kushtetuese të shpërndarjes së parlamentit, urdhëruar nga Jushçenko para përfundimit të legjislaturës.


Në Rusi, Kremlini pranoi se policia ka reaguar jashtë mase në manifestimet e opozitës në Moskë e Shën Pjetërburg. Deklarata vjen menjëherë pas shqetësimit të Bashkimit Evropian për përdorimin pa kriter të dhunës. Gjithsesi, qeveria e presidentit Putin u ka vënë fajin edhe mjeteve të huaja të komunikimit, që e kanë ekzagjeruar problemin.







All the contents on this site are copyrighted ©.