2007-04-16 15:54:51

Sot doli në librari libri i Benediktit XVI “Jezusi i Nazaretit”. Reflektim i Atë Federiko Lombardit.


(16.04.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, në sa Papa kremton 80-vjetorin e ditëlindjes, doli në librari vepra ‘Jezusi i Nazaretit’, që u paraqit të premtem e kaluar në Sallën e Sinodit pranë Sallës së Palit VI në Vatikan. Kardinali Kristof Shënborn, kryeipeshkëv i Vjenës shpjegoi para gazetarëve pikat kulmore të librit, duke theksuar se dëshira e Papës nuk është të ngjallë diskutime, por t’i afrojë njerëzit te figura e Krishtit. Paraqitjen e Kardinalit Shënborn e pasuruan edhe profesor Daniele Garrone, dekan i Fakultetit Valdez të Teologjisë në Romë dhe Masimo Kaçiari, profesor i estetikës në Universitetin ‘Jeta e Shëndeti’ në Milano, në sa konferenca e shtypit koordinohej nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit e drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi. Ja edhe reflektimi i Atë Lombardit mbi librin e ri të Papës:
“Kur njeriu mbush 80 vjeç, zakonisht i bëhet një dhuratë. Papa mbushi 80-vjet, po dhuratën na e bëri ai neve. Librin e tij, për të cilin flitet prej disa muajsh, më në fund e kemi në duar.
Është fryt i reflektimit të gjatë, i kërkimit shkencor kulturor, i meditimit e i përvojës së thellë baritore në fenë e krishterë. Duke e lexuar, e kuptojmë menjëherë pse Papa donte ta shkruante patjetër këtë libër, megjithse dy vjetët e fundit detyrat tepër të rëndësishme në drejtimin e Kishës universale ia zënë gjithë ditën.
Jeta, mendja e zemra e këtij besimtari, që është sot Papa ynë, vijojnë të përqëndrohen mbi atë që ka qenë e është detyrë e dorës së parë: të njohë e të dëgjojë Krishtin, për të hyrë në lidhje të gjallë e të thellë me Të e për të kuptuar atë që deshi të na sjellë Jezusi: njohjen e Hyjit. Paradoksalisht, ndërsa ai vetë na thotë se ky libër nuk është dokument i magjisterit papnor, por fryt i impenjimit të tij teologjik personal, ne e kemi të qartë se duke lexuar këto faqe marrim në dorë çelësin e çmuar për t’i kuptuar më mirë shumë aspekte të papnisë së tij: homelitë e tij, katekizmin e të mërkurave, stilin e tij të drejtimit e të regjimit të jetës, në një farë mënyre kuptojmë edhe detyrat e tij të dorës së parë e disa nga rrugët që zgjedh në drejtimin e Kishës. E dimë mirë kush është Papa, ç’është themelore për të, e prej këndej, ç’dëshiron t’u thotë të gjithë atyre që besojnë në Jezu Krishtin, burrave e grave të sotme. I shprehim mirënjohjen tonë të thellë!







All the contents on this site are copyrighted ©.