2007-04-16 15:54:35

Benedikti XVI kremton 80-vjetorin e ditëlindjes i rrethuar nga dashuria e miqve: pret në audiencë kardinalin Veter dhe autoritetet e Bavarisë.


(16.04.2007 RV)Një ditë me shijen e festës në familje, në Bavarinë e tij. Nisi kështu për Benediktin XVI dita e 80-vjetorit të lindjes së tij, e cila publikisht u kremtua dje me Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërsa paraditja e sotme iu kushtua audiencave me autoritetet kryesore bavareze, ardhur në Vatikan për t’i bërë personalisht urimet bashkatdhetarit të shquar.
I pari që u prit sot në audiencë private ishte presidenti i Bavarisë, Edmund Shtoiber, pas të cilit, ministri-president i Landit Shlezvig-Holshtain, Peter Harri Karstensen, që të dy të shoqëruar nga grupet përkatëse. Pas mesdite urimi u bë kolektiv në Sallën Klementine, kur Benedikti XVI u takua, në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, me kardinalin Fridrih Veter, administrator apostolik i Mynih-Fraisingen, së bashku me një delegacion prej 50 anëtarësh të kapitullit metropolitan. Pastaj, në Sallën Dukale, Benedikti XVI u ul në sofrën e festës i rrethuar nga anëtarët e Kolegjit Kardinalor.
Kremtimet patën edhe një shtesë të këndshme sot pasdite, në orën 18, në Sallën e Palit VI ku, si dhuratë e zgjedhur për Papën muzikant, artistët e Sydvestrundfunk (SWR) dhanë një koncert, në fillim të të cilit Benediktin XVI e përshëndeti kryeministri i Baden-Vyrtembergut, Gynter Oetinger dhe drejtori i përgjithshëm i orkestrës bavareze, profesor Peter Vos.
Në koncert u luajtën arie nga krijimtaria e Giovani Gabriel, Vofgang Amadeus Mozart e Antonin Dvorak.
Në përfundim të koncertit Papa përshëndeti të pranishmit, posaçërisht kryeminstrin e Baden-Vyrtembergut, Gynter Oetinger dhe drejtorin e përgjithshëm të orkestrës bavarese, profesor Peter Vos, duke i falënderuar për urimet që i bënë në fillim të koncertit, të cilin e quajti dhuratë të mrekullueshme që i erdhi për ditëlindje nga Baden-Vyrtembergu, i cili – siç u shpreh Papa - lidhet me etapa të rëndësishme të jetës së tij, me rrënjët e tij, që natyrisht nisin në Atdhe. Ati i Shenjtë kujtoi periudhën e punës në Tybingen, shkëmbimin intelektual e shkencor në këtë universitet dhe shumë takime të çmuara me njerëz, të cilët do të vijonte t’i takonte edhe më vonë.
Pastaj i drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt edhe artistëve, të cilët i falënderoi për atmosferën frymëzuese artistike që i krijuan në këtë festë me gjuhën universale të muzikës.
Ky universalitet – vijoi Papa – sot bëhet edhe më i theksuar në saje të mjeteve elektronike e digjitale të komunikimit, që i krijojnë muzikës mundësinë të hyjë në çdo shtëpi e në çdo zemër. E duke menduar për Mozartin, por edhe për kompozitorë të tjerë – Benedikti XVI theksoi se gjuha e muzikës, gjuhë universale e bukurisë, është e aftë t’i bashkojë njerëzit vullnetmirë të mbarë tokës e t’i nxisë t’i ngrejnë sytë drejt qiellit, drejt së Mirës e së Bukurës absolute, që burojnë nga vetë Hyji.
Në përfundim Papa Racinger e falënderoi Zotin që, qysh në fëmijëri, i vuri pranë muzikën, gati si një shoqe udhe, e më pas falënderoi edhe të gjithë ata që bashkojnë muzikë e lutje për lavdërimin plot harmoni të Hyjit e të veprave të tij.E pas urimit që madhështia e bukuria e muzikës t’u japin të gjithëve frymëzim për të ndërtuar një botë në të cilën mbretëron dashuria, solidariteti e paqja, Ati i Shenjtë u dha të pranishmëve bekimin e tij apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.