(12.04.2007 RV)Qyteti i Veronës në Itali ka zgjedhur për Pajtor një ipeshkëv
zezak e, në kujtim të tij, ka ngritur një bazilikë madhështore, që u rindërtua disa
herë e u bë qendër e kultit të Shenjtit. Shën Zenoni, sipas ‘Kronikës’, gojëdhënë
mesjetare e Koronatit, noter gjenovez që jetoi nga fundi i shekullit VII, ishte me
origjinë nga Afrika veriore, më saktësisht, nga Mauritania, pra ishte arab. Një
origjinë e tillë, në mungesë të dokumentimit, vërtetohet nga stili i shkrimeve të
tij, që të kujton shumë autorë të tjerë të njohur të Afrikës së kohës, si Apuleio,
Tertuliani, Çipriani e Latanci. Nuk dihet si as pse erdhi në Veronë së bashku me
familjen. Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh se në shekullin IV, pas përfundimit
të persekutimeve të mëdha kundër të krishterëve, në Kishë nisi frymëmarrja universale,
përmes shtegtimeve e shkëmbimit të përvojës ndërmjet njerëzve të shquar për njohjen
e thellë të doktrinës e për shenjtërinë e tyre. Mjafton të kujtojmë se edhe Shën Venanci,
ipeshkëv i Akuilesë (vdekur në vitin 367), Donati, prift në Milano e edhe Shën Agostini
i madh, ishin afrikanë. Mendohet se arriti në Veronë së bashku me patrikun e Aleksandrisë,
Atanazin që erdhi në Itali rreth viteve 340. Si zu vend në qytetin e bukur venet,
murgu afrikan jetoi në kuvend deri në vitin 362, kur u zgjodh pasardhës i ipeshkvit
Kriçino, duke u bërë kështu ipeshkvi i shtatë i dioqezës së Veronës, së cilës i priu
rreth dhjetë vjet, derisa vdiq më 12 prill të vitit 372. Mbeti në kujtesën e pasardhësve
të tij e të besimtarëve si njeri shenjt, me virtyte të shquara. Për Shën Zenonin flasin
shumë dokumenta si ‘Rhytmus Pipinianus” apo ‘Versus de Verona’, ku gjejmë
edhe portretin i tij, ndërmjet ipeshkvijve të tjerë të vendit. Por ato që kanë më
shumë rëndësi, janë 93 ‘Sermones’ apo predikime, nga të cilat 16 të gjata e 77 të
shkurtëra, të cilat e radhisin Shën Zenonin në radhët e para të shkrimtarëve katolikë
e të Etërve latinë. Për këtë arsye meriton të kujtohet ndërmjet doktorëve të Kishës
për karakterin thellësisht shkencor të shkrimeve që na la trashëgim. Preku temat themelore
të jetës kishtare, si vërtetësia e doktrinës trinitare, mariologjia, sakramentet e
para të krishterimit (Pagëzimi e Eukaristia), liturgjia e Pashkëve, virtytet e krishtera
të varfërisë, përvujtërisë e dashurisë si dhe detyrën për t’i ndihmuar të varfërit.
E virtytet e krishtera më parë i jetonte, pastaj i predikonte, duke u bërë kështu
shembull shenjtërie për të gjithë. Ndërtoi, në zonën e katedrales së sotme, Kishën
e parë në Veronë, rrenuar plotësisht gjatë dyndjeve të hunëve e të avarëve, rindërtuar
në vitin 806 e shuguruar në praninë e Karlit të Madh e të shumë njerëzve të tjerë
të shquar të epokës, shkatërruar rishtas nga fiset barbare të hungarëve. Sidoqoftë
reliket e Shenjtit shpëtuan e ruhen në bazilikën e madhe që Verona ngriti për Pajtorin
e vet, ku mund të soditen edhe shumë kryevepra arti, ndërmjet të cilave,‘Porta e bronzit’,
që njihet me emrin ‘Libri i bronztë’ e ‘Bibla e të varfërve’ në të cilën janë skalitur
48 episode biblike. Aty ruhet edhe shtatorja, që e paraqet Shenjtin të ri, të hijshëm,
duke qeshur e duke vijuar t'i bekojë besimtarët në rrjedhë shekujsh nga froni ipeshkvnor
prej mermeri.