(13.04.2007 RV)Emri Martin, që
do të thotë ‘i kushtuar Martit’ (perëndi pagane) dëgjohet në të katër anët e botës:
ndër bretonë Marzhin; tek katalanët Martí, ashtu si tek malësorët tanë të veriut;
çekët: Martin; francezët: Martin; galezët Marthin; grekët: Μάρτην; anglezët: Martin,
letonët: Mārtiņš; Limburgezët Martèng; holandezët Maarten; portogezët Martim, Martino;
spanjolët Martín; gjermanët Martin; hungarezët Márton; në latinishte shqiptohet Martinus,
në esperanto Martino. Shenjti, që sipas Martirologut Romak kremtohet sot, lindi
në Todi të Italisë në shekullin V – vdiq në Krime më 16 shtator 655. Martini, diakon
i Kishës romake, u zgjodh në fronin papnor pas vdekjes së papës Teodori (13 maj 649)
dhe nisi menjëherë ta drejtojë me dorë të hekurt timonin e barkës së Shën Pjetrit.
Për zgjedhjen e tij nuk e kërkoi, e as s’e priste, miratimin e perandorit bizantin
Kostancit II i cili, një vit më parë, kishte shpallur Tipin, dokument në mbrojtje
të tezës heretike të monotelitëve. Për t’i prerë rrugën përhapjes së kësaj herezie,
tre muaj pas zgjedhjes së tij, papa Martini thirri në Bazilikën lateranense një koncil
të madh, në të cilin ftoi të gjithë ipeshkvijtë e perëndimit. Dënimi i ashpër i
të gjitha shkrimeve monotelite, sanksionuar në pesë sesione solemne konciliare, shkaktoi
reagimin e tërbuar të oborrit mbretëror bizantin. Perandori urdhëroi ekzarkun e Ravenës,
Olimpin, të nisej për Romë për të arrestuar Martinin. Olimpi, që dëshironte t’ia kalonte
për zell edhe të zot’, u përpoq ta mbyste Papën me dorën e stallierit të tij, gjatë
kremtimit të Meshës në bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe. Por plani dështoi.
Vrasësi u verbua papritmas kur po përgatitej ta therte Papën që po i jepte hosten
e shuguruar. Ka shumë mundësi që kjo ngjarje e bindi Olimpin të ndërronte mendim,
të pajtohej me Papën shenjt e të planifikonte fillimin e luftës së armatosur kundër
Kostantinpojës. Në vitin 653, pasi Olimpi vdiq nga kolera, perandori mundi të hakmerrej,
duke e arrestuar Martinin me ndihmën e ekzarkut të ri të Ravenës, Teodorit Kaliop.
Martini, i akuzuar për uzurpim të paligjshëm të fronit papnor dhe për kurdisje
komplotesh kundër Kostantinopojës në bashkëpunim me Olimpin, u kap e u nis për në
qytetin e Bosforit. Udhëtimi, që zgjati pesë muaj, qe fillimi i një martirizimi nga
më mizorët. Gjatë ndalesave të shumta, besimtarët që deshën ta takojnë Papën, nuk
u lejuan t’i afroheshin. Si arriti, në shtator të vitit 654, në Kostantinopojë, e
lanë një ditë të tërë të shtrirë në rrugë të madhe, në sa populli nxitej ta tallte
e ta pështynte. Të nesërmen e mbyllën në burgjet më të tmerrshme të perandorisë. Pastaj
nisi procesi i gjatë e kapitës gjyqësor, gjatë të cilit Shën Martini u keqtrajtua
aq, sa arriti të murmurojë: “Bëni me mua ç’të doni; nuk i trembem vdekjes, përkundrazi,
e dëshiroj!”- Pasi e kishin fyer publikisht, e mbyllën fare të zhveshur e të ngarkuar
me zinxhirë në qelinë e akullt, caktuar për të dënuarit me vdekje. Por nuk e mbytën.
Më 26 mars 655 e internuan fshehurazi në Khersonea të Krimesë. Jetoi i uritur e plotësisht
i braktisur për katër muaj, derisa i erdh ora e vdekjes, që e gjeti të shkatërruar
fizikisht, por të patundur moralisht. Ishte 16 shtatori i vitit 655.