2007-04-13 17:21:25

Nunci Apostolik në Izrael motivon mospjesëmarrjen në përkujtimin e Shoahut. Një mospranim i dhembshëm por edhe i domosdoshëm


(13.04.07 RV)RealAudioMP3 Vazhdojnë komentet mbi vendimin e nuncit apostolik në Izrael, mons. Antonio Franko për të mos marrë pjesë në ceremoninë vjetore të përkujtimit të shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës II Botërore, e cila do të mbahet më 15 e 16 prill në Muzeumin e Holokaustit në Jeruzalem. Nunci ka sqaruar se arësyeja është vendosja e fotografisë së Papës Piu XII në mesin e personazheve, që kanë kontribuar në Shoah, me një didaskali që vë në dyshim qëndrimin e tij ndaj persekutimit të hebrenjve nga nazistët. Ndryshimi i tekstit është kërkuar edhe nga nunci i mëparshëm, mons. Pietro Sambi, që kur është vendosur në muze, në vitin 2005. Kjo didaskali, që ka sjellë probleme në marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Izraelit, shqetëson më shumë besimtarët e të dyja feve, apo historianët? Pyetëm historianin italian të Krishterimit, Xhan Maria Vian, profesor në Universitetin e Romës “La Sapienza”:
Dua të besoj, dua të shpresoj, se është një çështje historike, që ka të bëjë para së gjithash me historianët e jo aq me besimtarët e të dyja feve. Mendoj se historianët duhet të bëjnë punën e tyre, me ndershmëri, pa paragjykime, pa përjashtime, duke kuptuar se ky demonizim, kjo legjendë e zezë mbi Piun XII, lind nga propaganda sovjetike në vitet e Luftës II Botërore. Ata duhet të hetojnë, pa e deformuar, veprën e aktivitetin e Papës dhe të Kishës së Romës për të shpëtuar numrin më të madh të mundshëm të hebrenjve gjatë Luftës II Botërore. E kjo besoj se është një e dhënë e pamohueshme.
Nga ana tjetër, çfarë mendojnë vetë hebrenjtë? Ekziston një debat, edhe ndërmjet tyre, për ndryshimin e didaskalisë së fotografisë së Papës Piu XII, por për një opinion, intervistuam ambasadorin e Izraelit pranë Selisë së Shenjtë, Oded Ben-Hur:
Ne jemi të mendimit se ky debat i vështirë, i dhimbshëm, nuk duhet të ketë asnjë ndikim mbi përpjekjet serioze, të vërteta të Izraelit dhe të Shtetit të Vatikanit, të cilat vazhdojnë që prej 13 vjetësh, për të përforcuar marrëdhëniet e për të shkuar drejt pajtimit të vërtetë. Nuk mund të mos kujtojmë hapat historike të Papës Gjon Pali II dhe të Papës aktual, vizitën në Këln, në Aushvic e kështu me radhë. Në emër të këtij vëllazërimi, duhet të merren parasysh, të respektohen ndjenjat e popullit hebraik. Dhjetra mijëra të mbijetuar që janë akoma gjallë, bartin një lloj të vërtete, që është e ndryshme nga ajo e Vatikanit. Ne themi diçka të thjeshtë: sapo të jetë e mundur të shihen, të lexohen, të shqyrtohen dokumentat e Vatikanit, që flasin për vitet e luftës, do të jetë e mundur të arrihet në një gjykim historik.







All the contents on this site are copyrighted ©.