2007-04-13 17:58:42

Me librin Jezusi i Nazaretit, Papa na ofron një studim të thelluar të Krishtit, mikut të njerëzimit të vuajtur në kërkim të amshimit, thotë kard. Bertone.


(13.04.2007 RV)RealAudioMP3 Sot pasdite u paraqit libri i shumpritur i Benediktit XVI ‘Jezusi i Nazaretit’. Botimi bëhet pak ditë para 16 prillit, kur Papa do të kremtojë 80-vjetorin e ditëlindjes. Për ta kremtuar këtë jubile, Papa do të kryesojë Meshën Shenjte në Sheshin e Shën Pjetrit të dielën e ardhshme, më 15 prill. Ndërsa më 19 prill, Benedikti XVI do të kremtojë dyvjetorin e zgjedhjes në Katedrën e Shën Pjetrit.
Por, të kthehemi tek paraqitja e librit të ri të Papës Racinger, që filloi në orën 16 në Sallën e Sinodit pranë Sallës së Palit VI në Vatikan, koordinuar nga Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Morën pjesë kardinali Kristof Shënborn, kryeipeshkëv i Vjenës, që u prit dje në audiencë nga Ati i Shenjtë; profesor Daniele Garrone, dekan i Fakultetit Valdez të Teologjisë në Romë dhe Masimo Kaçiari, profesor i estetikës në Universitetin ‘Jeta e Shëndeti’ të Shën Rafaelit në Milano.
Mund të themi se me këtë libër Benedikti XVI shkon drejtpërdrejtë në zemër të fesë. Për të na e shpjeguar këtë, të ndjekim reflektimin e kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit:
Përgjigje: - Pa dyshim, figura e Krishtit, madje Dëftimi i Krishtit, është themeli i fesë sonë, është në qendër – siç thotë edhe vetë autori – është leva e historisë. E përballë diskutimit të kohëve tona, që është rindezur pikërisht rreth figurës së Krishtit, rreth personalitetit të Jezusit të Nazaretit, diskutim i cili nganjëherë hyn në rrugë të gabuara edhe për shkak të padijes së shumë njerëzve, që mendojnë se kanë të drejtë e aftësi të flasin për gjëra të cilat, për fat të keq, nuk i dinë, Papa na jep mendimin e vet për Krishtin. Papa është njeri i pasionuar pas Krishtit, është njohës i thellë i Jezu Krishtit e i krishterimit. Kujtojmë librin e tij të parë ‘Hyrje në krishterim’, që mund të lexohet me shumë fryt. E sot na jep këtë panoramë, këtë thellim në figurën e Krishtit. Na ofron Krishtin si çelës për shpjegimin e jetës, të fatit të çdo njeriu e të mbarë njerëzimit. Na e përshkruan Krishtin si mik të këtij njerëzimi në shtegtim, të këtij njerëzimi që ecën i trazuar nëpër udhët e historisë, të këtij njerëzimi – që ka etje për amshim e për gjëra që i japin kuptim jetës.
Pyetje: - Hirësi, ju e njihni prej shumë vitesh Papën Jozef Racinger. Cili tipar i karakterit të Atit të Shenjtë ju bën më shumë përshtypje?
Përgjigje: - Përzemërsia e Tij, butësia e tij, respekti i tij për çdo njeri, aftësia për të dëgjuar e për të vlerësuar çdo njeri: jo vetëm bashkëpunëtorët, ata që kanë jetuar pranë tij për shumë vjet, por edhe ata që, gjatë audiencave, e përshëndesin vetëm një çast. Papa e dëgjon çdo njeri e gjen një fjalë të përshtatshme në çastin e përshtatshëm, për secilin, si të ishte mik i tij i vërtetë.
Pyetje: - 80-vjetori i Benediktit XVI pothuajse përkon me dyvjetorin e papnisë së tij. Cili është bilançi që mund të bëhet për këto dy vjet papnie?
Përgjigje: - Bilançi i papnisë së Benediktit XVI mund të bëhet në këndvështrime të ndryshme, nga pika të ndryshme vrojtimi, nga profile të ndryshme. Të mendojmë, për shembull, për fjalimet e tij në audiencat e përgjithshme, për fjalimet drejtuar të rinjve, fëmijëve të Kungimit të parë. Mund të themi se janë fjalime të dala nga thelbi i zemrës, duke pasur mirë parasysh që Papa ka thënë se detyra e tij është të mbrojë fenë e njerëzve të thjeshtë. E ai vijon ta kryejë këtë mision, posaçërisht me njerëzit që e kanë zemrën të pastër, me ata që e kanë zemrën të thjeshtë, duke u prirë drejt takimit me Krishtin, që është çelësi i shndërrimit të jetës sonë.
Bilançi mund të bëhet edhe në një këndvështrim tjetër – për shembull duke u nisur nga shtegtimet e tij apostolike baritore. Kujtoj shtegtimin në Spanjë, shtegtimin në Poloni sidomos, për të falënderuar këto troje që na dhuruan Gjon Palin II; e kujtoj akoma vizitën në Aushvic, me reflektimin mbi praninë e mospraninë e Zotit në këtë vend kaq dramatik të historisë njerëzore. Shtegtimin në Gjermani, me fjalimet e mëdha mbi praninë e Zotit në shoqërinë e sotme; shtegtimin në Spanjë me mesazhet për familjen. Pastaj shtegtimin në të cilin e shoqërova: ishte shtegtimi i parë që bëja me Papën në Turqi, ku spikati dialogu i madh ndërfetar dhe gatishmëria shembullore për t’i takuar të gjithë, për t’i rikuptuar të gjithë, për t’i marrë me mend ndjenjat më të larta të çdo njeriu, të çdo bashkësie, të çdo kombi dhe të çdo grupi fetar. Më duket se këto janë mesazhe të vazhdueshme, themelore që na përcjell Papa, frytet e të cilave do t’i shohim në vitet e ardhshme të papnisë së tij.
Pyetje: - Ati i Shenjtë mbush 80 vjet. Ç‘urim i bëni ju, si bashkëpunëtori i tij më i ngushtë?Përgjigje: - Uroj në radhë të parë të ketë shëndet të plotë, të ketë hirin e ngushëllimin e Shpirtit Shenjt në këtë mision të jashtzakonshëm të cilin është thirrur ta kryejë që nga 19 prilli i vitit 2005; por uroj edhe që njerëzit ta dëgjojnë ashtu si e meriton, uroj që mesazhet e tij tipikisht ungjillore të kuptohen. Të kuptohet se ai e shoqëron çdo burrë e çdo grua, çdo bashkësi njerëzore në shtegtimin për t’i dhënë kuptim jetës e për t’u takuar me Krishtin, që është Shëlbuesi ynë i vetëm universal.







All the contents on this site are copyrighted ©.