2007-04-12 17:32:24

Pritet me interes në mbarë botën paraqitja e librit të Benediktit XVI ‘Jezusi i Nazaretit’.


Në parathënien e librit Papa shkruan se me këtë vëllim e paraqet Krishtin e Ungjijve si Jezusin e vërtetë, si Jezusin historik në kuptimin e plotë të fjalës. Benedikti XVI shpreh bindjen se kjo figurë është shumë më logjike e, në këndvështrimin historik, edhe më e kuptueshme se sa rikrijimet e saj në dhjetvjeçarët e fundit.
Kërkuam, për këtë, mendimin e biblistit, atë Gjulio Mikelini, profesor i Besëlidhjes së Re pranë Institutit Teologjik të Asizit:
Përgjigje: - Mendoj se ndjehej nevoja - e të gjithë e presin në mënyrë të favorshme këtë nismë. Ndjehej edhe dëshira për të ripërvetësuar diçka që ndoshta-ndoshta, ishte harruar. Në këtë kuptim nisma e Papës është e mirë dhe ka për qëllim t’i nxisë besimtarët për t’u rikthyer në rrënjën e problemit, sepse ndoshta, e veçanërisht në Itali, jemi në një gjendje në të cilën katekizmi që u mësohet fëmijëve, nuk mjafton; ndjehet nevoja për ripërvetësimin e fesë së dhuruar. Por kjo duhet bërë pa hequr dorë nga tradita dymijëvjeçare që na është dorëzuar, gjë që, me sa më duket, nxitet pak si tepër me disa publikime.
 Pyetje: - Sipas jush, një libër si ‘Jezusi i Nazaretit’ i Papës a mund të ngjallë, përveç kureshtjes, edhe dëshirën për t’u afruar tek ungjijtë?
Përgjigje: - Besoj se libri do të ketë sukses, e jo thjeshtë për shkak të autoritetit të Papës si studiues dhe të autoritetit të vendi që zë në Kishë, ndonëse Ati i Shenjtë nuk e shkroi librin duke menduar për suksesin. Gjithsesi do të jetë rast i mirë për ta shtyrë ndokënd tek burimet. Kemi katër ungjij e unë, duke bërë shaka me miqtë mi ekzegjetë, u them shpesh: “Ju shkruani shumë libra mbi këto katër libërtha të varfër, por lavdi Zotit, nuk mund t’i ndryshoni e Ungjijtë mbeten ashtu si ishin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.