Muzika, mjet dialogu e miqësie ndërmjet Kishës katolike e ortodokse: kështu shkruhet
në një mesazh të kardinalit Pol Pupar.
(12.04.2007 RV)Dialogu ndërmjet kulturës aziatike e asaj evropiane, në rrugën
e shkëmbimeve e të miqësisë, shkrihen e bëhen melodi: këto janë fjalët e para që kryetari
i Këshillit Papnor të Kulturës dhe Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali
Pol Pupar, shkruan në mesazhin e urimit, dërguar në Moskë me rastin e koncerteve të
organizuara dje e sot nga Fondacioni ndërkombëtar ‘Accademia Arco’ . Skena e
takimeve muzikore ishte Katedralja katolike e Zojës së Papërlyer dhe Shtëpia ndërkombëtare
e muzikës. U ndoqën “Katër stinët” e Antonio Vivaldit dhe ‘Stabat Mater’ e Gjoakino
Rosinit, kënduar nga koret e bashkuara të Akademisë Filarmonike Romake dhe Kapelës
Jurlov, shoqëruar nga orkestra romake “Miqtë e harmonisë” dhe Orkestra Filarmonike
ruse. Muzika – shkruan kardinali Pupar- shprehje sublime artistike, përçuese e
ndjenjave të larta të shpirtit njerëzor, poezi simfonike e trillit krijues dhe e zemrës
të qytetërimeve e të popujve, jep këtu, në Moskë, një shembull të shkëlqyer të dialogut
ndërmjet kulturave. Ajo bëhet kështu kasnece dhe interpretuese e dialogut dhe e miqësisë
ndërmjet Lindjes e Perëndimit e – shton kardinali – edhe ndërmjet dy Kishave motra,
asaj ortodokse e asaj katolike, sivjet më të bashkuara se asnjëherë tjetër nga kremtimi
i njëkohshëm i Solemnitetit të Pashkëve. Kardinali Pupard thekson në mënyrë të veçantë
detyrën e muzikantëve të cilët – pohon, duke cituar ‘Letrën drejtuar artistëve’
nga Shërbëtori i Zotit, Gjon Pali II, na prijnë drejt Oqeanit të bukurisë, ku
mahnitja bëhet admirim; dehja nga forca e krijimit, gëzim i papërshkrueshëm. Së fundi
Hirësia e Tij nënvizon lidhjen e ngushtë ndërmjet muzikës e përshpirtërisë, sepse
pentagrami, si “shprehje e shpirtit”, është urë që çon në përvojën fetare e thirrje
për të hyrë në Mister e kjo, sepse është gjithnjë në kërkim të së bukurës, fryt i
krijimtarisë që i kapërcen kufijtë e së përditshmes. Atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm
me art, por edhe me përshpirtëri. Në këtë kuptim, bukuria e transmetuar nga muzika
është joshje për të mbinatyrshmen, ftesë për të shijuar jetën e për të ëndëruar të
ardhmen, gjë që të ngjall mallin e mistershëm për Zotin!