(11.04.07 RV)Rezoluta e re për statusin e Kosovës pritet të miratohet "nga
fundi i pranverës apo fillimi i verës", ka deklaruar ambasadori amerikan në Beograd,
Majkëll Polt. Sipas tij, "Këshilli i Sigurimit e ka filluar punën për hartimin
e saj". Lidhur me diskutimet në Senatin amerikan mbi projektrezolutën e katër senatorëve,
të cilët mbështesin pavarësinë e Kosovës, ambasadori Polt është shprehur optimist
se ajo do të miratohet me konsensus. Ndërkaq, vazhdon ofensiva serbe për të gjetur
sa më shumë përkrahës në Këshillin e Sigurimit. Dje, ministri i jashtëm serb, Vuk
Drashkoviç ka shkuar në Afrikën e Jugut, aktualisht anëtare jo e përhershme e Këshillit,
së cilës i ka kërkuar të mos përkrahë propozimin e Ahtisarit për Kosovën. Javën e
ardhshme, në Beograd do të shkojë një delegacion nga Rusia dhe një nga Kina, dy vendet
anëtare të Këshillit të Sigurimit, me të drejtë vetoje, të cilat mbështesin politikisht
Serbinë.