Tetëditshja e Pashkëve: për udhë drejt Rrëshajëve.
(10.04.2007 RV)Ditët ndërmjet të
Dielës së Ngjalljes dhe të Dielës që vjen pas, quhen “Tetëditshja e Pashkëve”, sepse
të krijojnë idenë e një dite të vetme. Po cila është domethënia e Tetëditshes së Pashkëve?
Na e shpjegon kryeipeshkvi i Chieti-Vastos, imzot Bruno Forte: Pyetje:
- Pse dita që vjen menjëherë pas Pashkëve, quhet e Hëna e Engjëllit? Përgjigje:
- Pashkët janë kulmi i Liturgjisë së krishterë e i jetës së krishterë, sepse pikërisht
për Pashkë Krishti vdiq e u ngjall për ne e na dhuron vetveten në Shpirtin Shenjt.
Ja pse ky mister kryesor i mbush plot zemrat, fenë e vetë liturgjinë. E ja pse në
histori u ndje nevoja për ta zgjëruar, në një farë mënyre, begatinë e emocioneve të
kësaj dite që është dita e ditëve e që kujtohet çdo të dielë në mister, përmes kremtimit
të një Tetëditsheje, që quhet Tetëditshja e Pashkëve. Janë tetë ditë që konsiderohen
si një ditë e vetme, dita e të Ngjallurit, drita e të cilit duhet përvetësuar gjithnjë
më thellë, pikërisht duke e kundruar e duke vijuar ta kundrojmë misterin e këtij takimi
me të Ngjallurin, që e ndryshon rrënjësisht jetën tonë. Pra mund të themi se kjo është
javë hiri, në të cilën duhet t’i hapim zemrat për të vërshuar ndër to, bukuria e
Krishtit të ngjallur. Pyetje: - Pse dita e parë pas Pashkëve quhet‘e Hëna
e Engjëllit’? Përgjigje: - Kjo e hënë quhet tradicionalisht e Hëna e Engjëllit,
për të nënvizuar një element të ngjarjes së madhe të Pashkëve e pikërisht çastin kur
Maria Magdalena shkon në kopsht, dëgjon dikë që e thërret e kujton se është kopshtari.
Në të vërtetë në këtë figurë gjejmë diçka shumë të bukur, idenë e kopshtit të parë
në botë, kopshtit të Parajsës Tokësore, që rikrijohet e përtëritet nga Ai që u ngjall.
Ëngjëjt kanë një rol të rëndësishëm në ngjarjen e madhe të Pashkëve. Ata u kumtojnë
grave që shkojnë te varri, se Krishti nuk është më aty. Janë, pra, dëshmitarë që
përhapin gëzimin e lajmit të bukur e përvojën e zemrës së re që Krishti ka ardhur
të na dhurojë me vdekjen e ngjalljen e Tij. Pyetje: - Ç’do të thotë të
jetosh si i ringjallur në jetën e përditshme? Përgjigje: - Jeta e krishterë
është jetë që buron nga Pashkët, dmth që bashkon në mënyrë të pandarshme vdekjen e
ringjalljen, dhimbjen e gëzimin, errësirën e dritën. Ky është reflektimi që duhet
të bëjë gjithnjë i krishteri, duke kujtuar pagëzimin e vet, që do të thotë zhytje
në misterin e Pashkëve. Kjo konkretisht do të thotë se në këtë botë s’ka të krishterë
që të mos mund të shkëputet nga përvoja e errësirës dhe e dhimbjes. Krishti erdhi
të na shpëtojë nga mëkati, Krishti erdhi t’i japë kuptim vuajtjes sonë e errësirës
sonë, por ne do të jemi plotësisht të lirë vetëm atëherë kur ta kundrojmë fytyrë për
fytyrë, në lumninë e Ditës së tetë, në lumninë e Pashkëve të mbrame e përfundimtare
të Jeruzalemit qiellor. Në një farë mënyre stili i Pashkëve të jetës është të jetosh
çdo ditë me zemrën e festës. Pyetje: - Menjëherë pas kremtimit të Pashkëve
nis koha që na përgatit për Rrëshajë. Si duhet jetuar? Përgjigje: - Koha
e Pashkëve është kohë e Kishës. Libri i Veprave të Apostujve është Ungjilli i Kishës.
Na përshkruan pikë për pikë përhapjen dhe rrezatimin e dëshmisë së Pashkëve në Kishën
që po lindte, nga Jeruzalemi në mbarë botën. Është, pra çasti në të cilin duhet të
rizbulojmë hirin e madh se bëjmë pjesë në Kishë, se jemi mbledhur nga i Ngjalluri
me forcën e Shpirtit të Tij të Shenjtë, i cili na bashkon përmes Fjalës së Zotit e
sakramenteve, por edhe çasti për të rizbuluar urgjencën e transmetimit të kësaj dhurate
të mrekullueshme, përmes dëshmisë të dashurisë, të fesë e të shpresës, si në marrëdhëniet
e përditshme, ashtu edhe në vrullin e ri të veprimtarisë sonë misionare, për t’ua
kumtuar edhe atyre që nuk e njohim akoma, bukurinë e Krishtit.