(07.04. 2007 RV)Nata e Pashkëve është “Nëna e të gjitha netëve të lutjes”. Vërtetë
e jashtzakonshme kjo natë, në të cilën drita vezulluese e Krishtit të ngjallur fiton
përfundimisht mbi fuqinë e errësirës, të së keqes, të vdekjes, duke ndezur në zemrat
e besimtarëve shpresën e gëzimin. Të Shtunën e Madhe të krishterët presin kremtimin
e Natës së pagjumë të Pashkëve. Nuk mund të shpjegohet kurrë plotësisht rëndësia e
kësaj nate të pagjumë, kësaj nate pritjeje, sepse në të përqëndrohet gjithçka. Posaçërisht
në shekujt e parë të Kishës, kur nuk kishte festa të tjera, madje nuk kremtohej as
Krishtlindja, ky ishte çasti në të cilin përkujtohej gjithë historia e shëlbimit,
e krijimit, deri në ardhjen e Krishtit. Këtë e vërteton edhe fakti se nata e lutjes
e Pashkëve nis pikërisht me leximin e Librit të Zanafillës, me rrëfimin mbi Krijimin,
duke na kujtuar se jemi para rikrijimit të gjithçkaje. Sigurisht zemra e Natës së
lutjes të Pashkëve është Ngjallja e Krishtit, që kremtohet me Eukaristinë. Shën Agostini
e quan “Nënë e të gjitha netëve të lutjes, burim i gëzimit të krishterë”. Është nata
më e pasur me fjalë e simbole, që shprehin fitoren mbi vdekjen e mbi forcat e errëta
të së keqes si dhe shpresën që ngjallet ndër zemrat e të gjithë atyre, të cilët besojnë
në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur. Mëkat që në traditën më të re, posaçërisht tek
ne, përendimorët, rëndësia e Natës së Lutjes në të kaluarën është lënë shpesh herë
pas dore. Sot është duke u rikthyer edhe ndër famulli, ku Nata pa gjumë e Pashkëve,
në pritje të ngjalljes së Krishtit, ka nisur të jetohet me emocionin e traditës. E
duke rrëmuar në kujtesën e traditës së lashtë, zbulojmë se Pashkët janë kremtuar gjithnjë
natën. Në fillim liturgjia ishte tepër e thjeshtë: një bashkësi besimtarësh që lutej
e ushqehej me bukën e jetës rreth një sofre vëllazërore e cila paraprihej nga një
agjërim i plotë prej një ose më shumë ditësh. Më vonë Natën e Pashkëve u shtua edhe
kremtimi i pagëzimeve, riti i qiririt, i bekimit të zjarrit të ri dhe proçesioni i
dritës. Kështu, me kalimin e kohës, Nata e Pashkëve u bë gjithnjë më e pasur me rite.
Në fillim kremtimi i natës ishte gati i detyrueshëm, nga që të krishterët nuk ishin
të lirë të mblidheshin ditën; por më vonë kremtimi i natës filloi të merrte gjithnjë
më tepër kuptim, duke u nisur nga pohimi i Ungjijve, që përshkruajnë zbulimin e Varrit
të zbrazur “në agim të ditës së parë të javës” (Mt 28, 1); ‘Në të zbardhur të dritës’
(Mk. 16, 2; Lk 24, 1) ose thjeshtë ‘ në agim’ (Gjn. 20, 1). A nuk ishte Jezusi, ‘Drita
e botës’, ardhur për të ndriçuar ata që ishin zhytur në errësirë? E pagëzimi, thua
nuk e bën të krishterin të kalojë nga vdekja në jetë, duke e zhytur ritualisht e realisht
në vdekjen e Krishtit, për ta bërë të rilindë në një jetë të re, së bashku me Të? Sot
mjafton të përdorim një çelës për të pasur, në sajë të elektricitetit, të gjitha burimet
e dritës që dëshirojmë. Por dikur ndezja e qirinjve ishte një rit që duhej kryer me
doemos kur zbriste nata, rit që merrte pamje edhe më solemne kur ndizeshin qindra
drita, në sa përgatitej të fillonte festa. Kuptohet menjëherë se në natën e madhe,
të ndriçuar nga drita e Jezusit, ky gjest merrte një rëndësi të veçantë e bëhej edhe
më i ndritshëm nga lajmi gazmor i ngjalljes së Krishtit, kumtim nga i cili nis Exultet
- Himni i Pashkëve të Ngjalljes. Natyrisht, që nga çasti kur nisi të ndiqej zakoni
i shuarjes të të gjitha dritave në mbrëmjen e të Enjtes së Madhe, u pa e nevojshme
të ndizej një zjarr i ri për kremtimin e Natës së pagjumë të pritjes . Kështu lindi
bekimi i zjarrit të ri dhe hyrja në kishën e kredhur në errësirë - e qiririt të Pashkëve:
“Dritës së Krishtit!”. Liturgjia e Dritës Kështu quhet pjesa e parë e
kremtimit të Natës së Pashkëve. Në këtë kremtim, nuk është në plan të parë fjala,
por simbolizmi i sendeve dhe i gjesteve. Kremtimi nis me një gjallëri që, më shumë
se mendjen, prek zemrën e, prej saj, gjithë qenien njerëzore. Nuk mjafton ta dëgjosh,
por duhet edhe ta shikosh, për ta kuptuar thellësisht, përmes simboleve, këtë realitet
që fjalët e shpjegimet nuk mund të shprehin plotësisht. Riti i dritës nuk ka lidhje
me ndriçimin e mjedisit ku kremtohet, nuk është i lidhur as me folklorin. Qëllimi
i tij është të tërheqë vëmendjen e të gjithëve drejt ‘Dritës së Krishtit’ që ngjallet
plot lavdi’ dhe shpërndan ‘errësirën e zemrës e të shpirtit’. Proçesioni me qiri të
ndezur na kujton shtegtimin e popullit të Zotit, të cilit nuk i prin më, si Izraelit
në shkretëtirë, një re e ndritshme, por Krishti lavdiplotë. Ai shndrit çdo njeri
që vjen në këtë botë. Drita e tij përhapet nga një besimtar tek tjetri. Në një
Kishë ku ndrisin qindra flakëza qirinjsh, ndezur në flakën e Qiririt të Pashkëve,
nis kremtimi më i gjatë e më lirik i liturgjisë së krishterë. Ai i këndon “natës në
të cilën Krishti, duke këputur zinxhirët e vdekjes, ngrihet përsëri fitimtar nga varri”.
Është nata e hirit, “natë që bashkon qiellin me tokën, njeriun me Krijuesin e tij”.
Figura të guximshme e poetike ndjekin njëra-tjetrën, deri sa formojnë një këngë të
mrekullueshme, që shpreh gëzimin shpërthyes e shpresën e pamort të mbarë bijve të
Hyjit. Liturgjia e Fjalës Nata e Pashkëve vijon me Liturgjinë e Fjalës
së Zotit, në të cilën një vend të jashtzakonshëm zënë leximet nga Besëlidhja e Vjetër.
Kjo gjë nuk duhet të na çudisë. “Duhet të nisemi pikërisht nga Moisiu e nga të gjithë
profetët” për të kuptuar se “u desh që Mesia t’i pësojë gjithë këto vuajtje e kështu
të hynte në lumninë e vet” (Lk. 24, 26-27). Zgjedhja e leximeve përkon me traditën
e krishterë të Lindjes e të Përendimit, duke ripëtrirë edhe traditën hebraike.
-
Katër leximet e para na kujtojnë “Katër netët e traditës hebraike” (Targum
Palestineze, shek. II para Krishtit). Katër netët janë të shkruara në Librin e
Kujtimeve. - Nata e parë qe ajo, në të cilën Zoti iu dëftua botës për ta
krijuar: bota ishte e shkretë e tytë; errësira e mbulonte sipërfaqen e tokës (Gen
1, 2). Fjala e Zotit ishte dritë e ndriçonte… - Nata e dytë ishte ajo kur
Zoti iu duk Abrahamit, njëqind vjeç e Sarës, gruas së tij, nëntëdhjetë vjeçe (Gen
17, 17), që të përmbushej ajo që thotë Shkrimi Shenjt: ‘Thua Abrahami, njëqind vjeç,
mund të lindë akoma, e Sara, nëntëdhjetë vjeçe, mund të nxjerrë në dritë një djalë?...
E Izaku ishte tridhjetë e shtatë vjeç kur qe vënë mbi elter për t’u flijuar… -
Nata e tretë qe kur Zoti u dëftua kundër egjiptianëve në mesin e natës (Dal 12,
24; Urt. 18): dora e tij mbyti djemtë e parë të egjiptianëve dhe e djathta e tij mbrojti
të parëlindurit e Izraelit, që të përmbushej kështu fjala e Shkrimit Shenjt: Izraeli
është djali im i parë” (Dal. 4, 22) E e quajti nata e tretë. - Nata e katërt
do të jetë kur të arrijë fundi i botës. Zgjedha e hekurt do të copëtohet e breznitë
e mbrapshta do të zhduken. E Moisiu do të dalë nga shkretëtira… është Nata e Pashkëve
për emrin e Zotit: “natë e caktuar dhe e ruajtur për shpëtimin e të gjitha breznive
të Izraelit”. Katër netë: ajo e krijimit të botës, e Flijimit nga ana e
Abrahamit, e Daljes dhe e Ardhjes së Mesisë. Përsa u përket tre leximeve të
tjera të Natës së Pashkëve, ata tingëllojnë në përkim me atmosferën e pagëzimit. Fragmenti
i shkëputur nga Letra drejtuar Romakëve (6,3b-11) na kujton pagëzimin, kalimin nga
vdekja e mëkatit në jetën për Zotin. E, së fundi, Ungjilli na çon pranë varrit të
Zotit, që gratë e gjejnë të zbrazët në agim të ditës së parë të javës. Aty marrin
lajmin e parë të ngjalljes. I ndjekim tekstet me bindjen se ‘ kjo fjalë e Shkrimit
Shenjt që kemi dëgjuar, përmbushet për ne!’.
Liturgjia e Pagëzimit Mund
të kremtohet në dy mënyra: - në mënyrën e parë, uji bekohet për pagëzimet që bëhen
menjëherë ose gjatë kohës së Pashkëve; - në tjetrën, riti nuk parashikon pagëzime
e megjithatë ujët bekohet e me të stërpiket bashkësia, e cila përsëritë premtimet
e pagëzimit. Në të dy rastet Nata Pashkëve bëhet për gjithë të krishterët që marrin
pjesë, si përvjetor i pagëzimit të tyre, pavarësisht se kur e kanë marrë sakramentin.
Bekimi i ujit të pagëzimit na kujton çastet e mëdha të historisë së shëlbimit,
në të cilat ujët luajti një rol të dorës së parë:
fillesën, kur
Shpirti Shenjt ndikonte në të forcën që shenjtëron;
përmbytjen
universale, në të cilën ujët simbolizonte vdekjen për mëkatin dhe lindjen e një jete
të re;
kalimin e Detit të Kuq;
Pagëzimin e Jezusit
Krishtin
në Kryq: nga kraharori i tij i shporuar gurrojnë gjak e ujë;
Së fundi, misionin e nxënësve që dërgohen për t’u predikuar
Ungjillin të gjithë popujve dhe për të pagëzuar.
Pagëzimi është një
rit i thjeshtë, por që të bën të marrësh pjesë në të gjitha mrekullitë e shpalosura
nga Zoti në historinë e shëlbimit. Nga viti në vit besimtarët kanë rastin të përtrijnë,
së bashku me vëllezërit e motrat e tyre në fe, besojmën e gurrës së Pagëzimit.
Liturgjia
Eukaristike: “Krishti u ngjall!” Brohoritja që jehon në terrin e natës së
Pashkëve, arrin kulmin në kremtimin eukaristik. Sigurisht është Eukaristia e çdo të
diele, e çdo dite, por këtë natë, kur kemi rijetuar historinë e shëlbimit, e ndjejmë
më fort se kurrë se ajo është kënga e gjithësisë, lavdërimi pa fund i qiellit e i
tokës.
Sabato Santo: 'Exultet’ della veglia pasquale E Shtuna
e Madhe: 'Exultet’ - ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve:
O natë, më e ndritshme
se dita. Natë në të cilën dashuria del nga terri. Natë që çliron Jezusin
nga varri. Natë më e bardhë se dëbora, më e ndritshm se drita e qirinjve, më
e kthjelltë se dita.
Nata më e ëmbël e qiellit. Nata-roje e korpit të Krishtit, natë
kur Fryma e Zotit tokën përshkon. Natë që mbushet me yje, natë e fitores, që
vdekjen e mund. Më e ëmbla natë e qiellit.
Nata më e pasur me paqe. Natë
që fiton mbi botën e errët. Natë e hirit që ndrit si lumnia. Natë që josh historinë, zemrën
e përlyer që e kullon. Nata më e pasur me paqe.
O natë, më e fortë se koha. Natë
e të Gjallit mbi univers. Natë e fjalës që mbush çdo heshtim. Natë në të
cilën Kisha del në dritë. Natë e ujit të gjallë, pas ngricave dimërore. O
natë, ti më e fortë se koha”. Natën e Pashkëve ndjehet fort atmosfera e Meshës
së Mesnatës të Krishtlindjes. Edhe bashkësia është e njëjtë. E njëjtë edhe bukuria
e liturgjisë që kremtohet në errësirën e natës. Janë të pranishëm të krishetrët që
duan të jetojnë në një hapësirë, në të cilën kremtohen të gjitha simbolet, lexohen
të gjitha leximet, kryhen të gjitha gjestet e nevojshme për të rijetuar ngjarjen më
të madhe të historisë së njerëzimit: Ngjalljen prej të vdekurve. Faleminderit Zotit,
të krishterë të tillë nuk mungojnë. Ata sonte mbushin përplot Kishat në të katër anët
e botës, për të dëgjuar, edhe një herë të parët, lajmin e madh: “Krishti u ngjall!
Krishti është ndërmjet nesh! E atëherë luten: “Jezus i kryqëzuar e i ngjallur,
rri me ne! Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurtë e njerëzimit në shtegtim
nëpër rrugët e botës! Ti, Fjalë e gjallë e Atit, jepu shpresë e besim atyre
që e kërkojnë kuptimin e vërtetë të jetës së tyre. Ti, Bukë e jetës së pasosur,
ushqeje njeriun e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe.
Rri
me ne, Fjalë e gjallë e Atit, mësona fjalë e gjeste paqeje: paqe për tokën e
shugurar nga gjaku yt; paqe për Vendet e Lindjes së Mesme e të Afrikës, ku
vijon të rrjedhë gjaku rrëké: paqe për mbarë njerëzimin, mbi të cilin varet përherë rreziku
i luftërave vëllavrasëse”.
Krishti kërkon drejtësi e solidaritet bujar për
masat njerëzore që edhe sot vuajnë e vdesin nga mjerimi e nga uria, të dhjetuara prej
epidemive vdekjeprurëse e të thyera më dysh nën peshën e katastrofave natyrore. Nëpër
forcën e Ngjalljes së Zotit, qofshin edhe ata pjesëtarë të një jete të re. “Edhe
ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë, kemi nevojë për ty, o Zot i ngjalllur! Rri
me ne deri në fund të kohëve. Bëj që progresi material i popujve të mos i errësojë
kurrë vlerat shpirtërore që janë shpirti i qytetërimeve të tyre. Na ndihmo,
të lutemi, në shtegtimin tonë. Besojmë në Ty, në Ty shpresojmë,sepse vetëm ti ke
fjalët jete të pasosur…”.