2007-04-09 17:00:48

Benedikti XVI e nxit Kishën ta përhapë Ungjillin deri në kufijtë më të largët të tokës.


(09.04.2007 RV)RealAudioMP3 “Jemi akoma plot me galdimin shpirtëror që sjellin kremtimet solemne të Pashkëve në zemrën e besimtarëve. Krishti u ngjall!” – me këtë brohori e filloi sot Benedikti XVI lutjen e Mbretëreshës qiellore të së Hënës së Engjëllit, kremtuar në Kastel Gandolfo, ku shkoi që dje pasdite e ku do të kalojnë një javë, pas impenjimeve të lodhshme të Pashkëve. E ndiqnin, në një ditë të kthjelltë pranverore, më se trimijë shtegtarë e besimtarë, që kishin mbushur plot oborrin e edhe sheshin para selisë papnore.
Këtij misteri kaq të madh – shpjegoi Papa – liturgjia nuk i kushton një ditë të vetme, por pesëdhjetë ditë, do me thënë gjithë Kohën e Pashkëve, që përfundon me Rrëshajët.
E Diela e Pashkëve, pastaj – vijoi Ati i Shenjtë – është një ditë krejtësisht e veçantë, që shtrihet në të gjithë hapësirën e kësaj jave, deri të dielën e ardhshme, duke formuar kështu Tetëditshen e Pashkëve. Në atmosferën e gëzimit të solemnitetit, liturgjia e sotme na çon te varri i Krishtit, ku kishin shkuar Maria e Magdalës dhe Maria tjetër, të nxitura nga dashuria e pakufishme për Jezusin.
Ungjilltari tregon se Krishti iu afrua grave e u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të më presin në Galile. Atje do të më shohin!” – vijoi të komentonte Papa - e, si përshkroi gëzimin e jashtzakonshëm që ndjenë gratë kur e panë përsëri Zotin e ngarendjen e tyre plot entuziazëm për t’u bërë pjesë në këtë gëzim edhe nxënësve, theksoi se ky gëzim nuk i përket një kohë të largët, por të gjitha kohërave, nuk është vetëm i të krishterëve të parë, por i gjithë njerëzve, të çdo kohe e të çdo vendi, sepse Krishti erdhi për të shëlbuar mbarë njerëzimin:
“Edhe neve sot, ashtu si këtyre grave që nuk iu ndanë Jezusit në orën e mundimeve, i Ngjalluri na përsërit të bëhemi, pa frikë, lajmëtarë e t’i kumtojmë mbarë botës lajmin e ngjalljes së Tij. S’ka pse të trembet ai që e takon Jezusin e ngjallur dhe e lëshon vetveten në duart e Tij” – tha Ati i Shenjtë e më pas i porositi gjithë të krishterët ta përhapin në të katër anët e botës këtë lajm të madh, që ia ndryshoi rrjedhën historisë njerëzore:
“Ky është mesazhi që të krishterët janë të thirrur ta përhapin deri në kufijtë më të largët të botës. Feja e krishterë nuk lind nga pranimi i një doktrine, por nga takimi me një Vetje, me Krishtin e ngjallur”.
Në jetën tonë të përditshme – vijoi Papa - nuk mungojnë rastet për t’ua përcjellë të tjerëve në mënyrë të thjeshtë e bindëse fenë tonë. E duhet ta kemi mirë parasysh se është më urgjente se kurrë që burrat e gratë bashkëkohës ta njohin e ta takojnë Jezusin e, në sajë edhe të shembullit tonë, ta lenë vetën të pushtohen nga Ai.
Më pas Benedikti XVI u ndal te figura e Virgjërës Mari në orën e Engjëllit, që kumtonte Ngjalljen.
Ungjilli nuk thotë asgjë për Marinë – shpjegoi Papa – po tradita e krishterë dëshiron ta kundrojë kur galdon më shumë se kushdo tjetër, në sa përqafon përsëri Birin e saj hyjnor, të cilin e mbajti me dhimbje të parrëfyeshme në prehër kur e zbritën nga kryqi. Tani, pas Ngjalljes, Nëna e Shëlbuesit galdon së bashku me miqtë e Jezusit, që krijojnë Kishën në fasha.
Në përfundim të lutjes, Benedikti XVI u drejtoi përsëri të gjithë besimtarëve e njerëzve vullnetmirë urimin e festës në vijim:
”Ndërsa u drejtoj të gjithëve urimet më të përzemërta të Pashkëve, i lutem Mbretëreshës Qiellore ta mbajë të gjallë në zemrën e secilit nga ne besimin në ringjalljen e të na bëjë lajmëtarë të shpresës e të dashurisë së Krishtit”.
Në këtë të Hënë të Engjëllit, me të cilën zgjatet galdimi i Pashkëve, Virgjëra Mari, Nëna e Zotit të ngjallur, na nxjerrtë nga Hyji hirin e prehjes e të paqes – tha Papa dhe u uroi përsëri të gjithëve:
Për shumë vjet Pashkët të gjithëve! 







All the contents on this site are copyrighted ©.