(07.04.07 RV)O natë, më e bukura e të gjitha netëve, natë ku lind shpresa, natë
që sheh triumfin e jetës, natë ringjalljeje.
Natë zjarri: në udhëkryqin
e historisë digjet zjarri i dashurisë tënde e bëhet strehë, ngrohtësi e forcë, për
të gjithë të prishurit nga urrejtja e nga ligësia.
Natë drite: në errësirën
më të thellë shkëlqen drita e ndriçon çdo gjë e çdo njeri, na bën të shohim
me një mënyrë të re, me sytë e tu, me mirësinë tënde.
Natë dëgjimi: ritingëllon
një fjalë e lashtë e gjithnjë e re, dhe një lajm shqyen heshtjen e vdekjes: Krishti
u ngjall!
Natë uji që rilind e shndërron, ujë që na bën bij të Zotit, ujë
që lan çdo mëkat, ujë që dhuron një jetë të re: uji i Pagëzimit tonë!
Natë
buke, të shkrifët e plot aromë, si jeta jote, o Jezus, bukë e ofruar, buke
e ndarë me shumë vëllezër: Korpi yt që vazhdon të përçojë forcë e shërim, falje
e shpresë.
Erdhëm natën, duke sjellë me vete secili pjesën e vet të errësirës
e të turbullimit, të lodhjes e të diziluzionit. Ti, o Zot i Ringjallur, Dritë
e botës, na i ndiz zemrat e na i mbështill me dritën tënde. Shqyeje errësirën
që peshon mbi shpirtrat tanë dhe i pengon sytë të shohin shtegun e jetës.
Erdhëm
natën, në heshtjen më të thellë, për të dëgjuar një fjalë, një histori ku
dashuria nuk mundet, ngul këmbë më shumë se tradhtia jonë më shumë se brishtësia
jonë.
Erdhëm natën, si udhëtarë që ndjejnë deri në thellësi të shpirtit lodhje
e etje që s’shuhet. Sa herë i kemi hedhur hapat nëpër shtigje që nuk i mbajnë premtimet
për lumturinë e ardhshme.
Natë e bashkësisë që rigjen fillesat e veta, që
zhvishet nga çdo papastërti, nga çdo rudhë e nga çdo tradhëti, për t’u bërë
sërish e re dhe e bukur si në mëngjesin e Pashkëve, mëngjesi i parë i botës
së re!