2007-04-03 15:45:38

Teksti i Udhës së Kryqit 2007 me Papën në Koloseo.


(03.04.2007 RV)RealAudioMP3 Tekstet e Udhës së Kryqit, që Papa do ta udhëheqë sipas traditës në Koloseo, sivjet janë përgatitur nga imzot Gjanfranko Ravazi. Prelati tregon, në mikrofonin tonë, si e priti ftesën e Benediktit XVI për të shkruar meditimet e Udhës së Kryqit:
Përgjigje: - Natyrisht në fillim u emocionova. Edhe një nga paraardhësit e mi në këtë udhë kaq të posaçme, dmth poeti Mario Luci, më pati treguar për emocionin e thellë që i kishte ngjallur ky tekst, i cili nuk do të shpallej thjeshtë para një bashkësie të vogël por, në një farë mënyre, përmes pjesëmarrjes së Papës, do të përhapej në të katër anët e horizontit. Prandaj duhet gjetur diçka që, në një farë mënyre, t’i bëjë jehonë frymëmarrjes fetare të shumë njerëzve. Mendoj se kjo është gjëja më e vështirë.
Pyetje: - Cili është, imzot Ravazi, mesazhi kryesor i meditimeve tuaja?
Përgjigje: - Përmasa që zgjodha natyrisht ndryshon nga ajo e autorëve të tjerë që më paraprinë, të cilëve në disa raste, u pëlqeu më shumë të zgjedhnin një përmasë më morale; në raste të tjera, më ekzistenciale ose më poetike, si për shembull, Mario Luci, që përmenda më lart. Në Udhën e Kryqit të Mario Lucit Krishti u flet vetë besimtarëve për mundimet e tij. Ndërsa kardinali Ratzinger pati propozuar një lloj reflektimi teologjik, që e bënte dëgjuesin të përqëndrohej me gjithë vetveten. Unë zgjodha një formë rrëfimtare-meditative. Zgjodha, pra, për 14 stacionet, rrëfimin e Mundimeve të Krishtit sipas Ungjillit të Shën Lukës, që lexohet në liturgjinë e këtij viti. E, nga ana tjetër, desha të realizoj edhe përmasën meditative-kundruese që të krijon mundësinë të shikosh sesi hapat e përgjakur të Krishtit vijojnë të lënë gjurmë në rrugët e botës, në të cilën jetojmë sot.
Pyetje: - Keni të drejtë, sepse të shumta janë edhe sot, ashtu si dje, Udhët e Kryqit të njerëzimit, që Zoti i merr mbi vete…
Përgjigje: - Ja, pikërisht kjo është në vijën për të cilën fola pak më parë. Shtigjet që përshkon Jezusi janë shtigje të Birit të Njeriut, shprehje biblike që ka kuptimin e njerëzimit, por ka edhe kuptimin e karakterit të tij të mbinatyrshëm. Në Bibël ky term ka tingëllim hyjnor. E për ketë arsye ne–sipas teologjisë së krishterë-nga njëra anë duhet ta shohim figurën e Krishtit si vëlla i njerëzimit. Nuk duhet të harrojmë kurrë se rrëfimi i mundimeve ndër Ungjilltarët përpiqet të vërë në dukje gjithë peshën e padurueshme të vuajtjes: të vuajtjes njerëzore, fizike, të frikës nga vdekja, të braktisjes nga ana e miqve, të tradhtisë, që arrin kulmin në çastin kur hesht edhe vetë Zoti! Në këtë këndvështrim Krishti është vërtetë vëllau ynë në të gjitha udhët e kryqit që përshkon njerëzimi në rrjedhë shekujsh, në të gjitha vuajtjet e tij. Edhe unë, në Udhën time të Kryqit, i kam kujtuar disa prej tyre. Por nga ana tjetër nuk duhet harruar se Ai është Biri i Zotit edhe kur kthehet në kufomë, kur zbret në gropë, në varr… E pra, pikërisht sepse ai është Biri i Zotit, duke kaluar nëpër galerinë e errët të dhimbjes sonë, të vdekjes sonë, ndez në të një shkëndijë, hedh një farë përjetësie, jete, shprese, Pashkësh. Prandaj dhimbja e vdekja – mbas vdekjes e ngjalljes së Krishtit, Birit të Zotit – nuk janë më njëlloj si më parë.
Pyetje: - Ç’mund të themi për britmën e Krishtit: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?”
Përgjigje: - Sigurisht duhet të themi se në shikimin e parë të duket se vdekja e Krishtit pas kësaj britme, siç e tregojnë Mateu e Marku, është fund i tmerrshëm. Zoti i thotë këto fjalë drejtuar Atit e pastaj, siç tregon ungjilltari, lëshon një klithmë rrënqethëse, ul kokën e jep shpirt. Kjo pjesë tregon se Jezusi nuk është thjeshtë i dëshpëruar, por thellësisht i dërmuar, sepse provon atë që e provojmë edhe ne në disa çaste të jetës sonë e që ndoshta do të na duhet ta provojmë edhe në çastin e vdekjes. Kjo dhimbje, që buron nga heshtja e Atit, është shprehje e bashkimit më të plotë me njerëzit. Gjithsesi nuk duhet harruar se sipas traditës hebraike, kur citohet fillimi i një psalmi, ose i një teskti tjetër biblik, citimi bëhet në mënyrë që të të kujtojë gjithë tekstin, gjithë përmbajtjen. E Psalmi 22,21 i kësaj liturgjie, fillon pikërisht me këtë klithmë, por përfundon me një Te Deum, me një falënderim drejtuar Hyjit, që është këngë gëzimi. Praktikisht i hap rrugën agimit të Pashkëve. Ja pra pse ky tekst duhet lexuar me gjithë ngjyrën e errët të vuajtjes, të çastit të dhimbjes kozmike kur edhe vetë Zoti hesht; por nga ana tjetër edhe me shpresën e agimit që do të lindë. E Luka vë në gojën e Krishtit që jep shpirt fjalët e Psalmit 31: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim”.
Pyetje: - Niçe pati pohuar “Zoti vdiq”. Ç’kuptim ka sot, sipas jush, ky pohim?Përgjigje: - Kjo frazë e këtij filozofi, e Niçes, i cili nga njëra anë ishte antikristian, e nga ana tjetër, nuk u shkëput dot kurrë nga kristianizmi – nuk duhet harruar se një nga veprat e tij titullohet ‘Antikrishti’ - na mëson sidomos një gjë: nga njëra anë kur bërtet: “Zoti vdiq!”, ai shton edhe se jemi ne ata që e mbytëm, se duart tona vijojnë të pikojnë gjak nga gjaku i tij e se ai që ulurin kështu, nuk e bën këtë për të lajmëruar fitoren. Kjo është më shumë ulurimë dëshpërimi sesa ngadhënjimi. E menjëherë pas ky filozof krijon figurën e njeriut me llambë, njeriut që e flak llambën përdhé e zhytet në errësirë të plotë. Ja, shikojmë nga njëra anë njeriun e kohës sonë, i cili shpesh është i bindur se mund ta zhdukë Zotin. Një poet tjetër gjerman, Hajne, pothuajse bashkëkohës i Niçes, shkruante: “A s’e dëgjoni këmbanën? I çojnë sakramentet e fundit një Zoti që po vdes!”. Është, pra i bindur se mund ta varrosë Zotin, ta largojë nga jeta. Por Zoti nuk mund të varroset, s’mund të largohet. Ai është gjithnjë në udhëkryqet e rrugëve tona e ky Zot që deshëm ta shlyejmë, mbetet në shpirtin tonë. Ndër disa, si mall e ndër të gjithë, si prani që riduket papritmas me gjithë madhështinë e vet, me gjithë dashurinë e mëshirën e vet. Nuk duhet t’i harrojmë kurrë fjalët e Shën Palit në Letrën drejtuar Romakëve, në Kreun X, kur citon Izainë, duke u çuditur sepse përmes Izaisë, Zoti thotë: “Më gjetën ata që nuk më kërkuan, u jam dëftuar atyre që nuk më pyetnin”. E është kjo shpresa e madhe: ky Zot i vdekur është gjithnjë pranë nesh, në udhëkryqet e shtigjeve tona, gati për t’u dukur si Jezusi i Nazaretit me një fytyrë njerëzore e të përditshme e gati për të na prirë në udhën e shëlbimit të mbinatyrshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.