2007-04-03 15:45:00

Mbrëmja e lutjes për Gjon Palin II në Kriptën e Vatikanit.


(03.04.2007 RV)RealAudioMP3 Mbrëmë, pas mbylljes së procesit dioqezan të Lumnimit e të Shenjtërimit të Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran dhe Meshës së përshpirtjes në dyvjetorin e vdekjes, kryesuar nga Papa Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, në Kriptën e Vatikanit vijoi nata e lutjes para varrit të Papës Vojtila. Rreth njëqind të rinj thanë Rruzaren Shenjte, së cilës i priu kardinali Dgjivish, për shumë vjet sekretar personal i Gjon Palit II. Më pas të rinjtë ndoqën meditimet e imzot Angelo Komastrit, vikar i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit.
“Pas vdekjes kërkoj Meshë Shenjte e lutje” – kështu ka shkruar Gjon Pali II në Testament, e qindra të rinj iu përgjigjën mbrëmë ftesës së tij. Së bashku me të rinjtë, para varrit të thjeshtë, siç e desh vetë Papa Vojtila, luteshin rregulltaret që i shërbyen deri në frymën e fundit dhe presidenti i Republikës polake, Leh Kacinski. “Jeni rojet e agimit” – u tha të rinjve kardinali Dgjivish, i cili falënderoi edhe Benediktin XVI për kujtimin e vazhdueshëm të Paraardhësit të tij.
“Ishim bashkë edhe me të, dy vjet më parë. Unë me disa prej të pranishëmve isha pranë krevatit, e ju poshtë dritareve, në Shesh, në rrugët e Romës e ai ju dëgjonte”.Kështu u tha kardinali polak të rinjve e në vijim, u drejtoi një pyetje shumë të natyrshme e aktuale:
“Ç’ju thotë sot? Të jeni shpresa e Kishës, shpresa e Benediktit XVI, shpresa e Kishës së sotme së cilës i duhet të përballojë probleme jo të lehta e ta mbartni mbi supet tuaja e sidomos në zemra, gjithë trashëgiminë e tij. Sot ai i flet botës përmes jush”.







All the contents on this site are copyrighted ©.