2007-04-03 15:45:26

Java e Madhe dhe kuptimi i saj.


(03.04.2007 RV)RealAudioMP3 Që nga e Diela e Larit, besimtarët katolikë kanë hyrë në Javën e Shenjtë të Pashkëve. Për të kuptuar simbolikën e Javës së Madhe, ftuam në mikrofonin tonë kardinalin Frensis Arinze, prefeket i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Sakramentet.
Pyetje: Hirësi, ç’domethënie ka java e madhe?
Përgjigje: - Domethënia është se Kisha Shenjte Amë kremton misterert e dhëndërrit të vet Shpërblyes. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin tonë. Na shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë të posaçme, me mundimet, me vdekjen e ngjalljen e tij. Këtë kremtojmë gjatë Javës së Madhe. E dimë se kremtimi eukaristik i Meshës Shenjte është riparaqitje e mistereve të Krishtit që mundohet, vdes, ngjallet; e flijimi i Kryqit është ora e Jezusit. Çdo i krishterë, çdo katolik e rijeton këtë flijim, kremton me Kishën, në Kishë, bën përpjekje për t’i lexuar ritet, para se të niset drejt Kishës, për t’i ndjekur pastaj më mirë, për të marrë pjesë më me pëshpirtëri. Pjesëmarrja nuk është thjeshtë veprimtari e jashtme: në radhë të parë është bashkim shpirtëror me Kishën e me Krishtin. Natyrisht çdo besimtar kërkon më parë të rrëfehet, ta marrë në zemër Jezusin Eukaristi, të vihet për udhë së bashku me Kishën, së bashku me të Lumen Mari, gjithmonë Virgjër, që ishte pranë Krishtit kudo, posaçërisht mbi Kalvar. Vihet për udhë edhe me Apostujt. Kush nuk e kupton Javën e Madhe, nuk e kupton krishterimin; kush nuk merr pjesë në ritet kishtare, është tepër i cektë në jetën e krishterë. E kjo, sepse Pashkët i japin kuptim çdo të diele që ne e kremtojmë në ditën e parë të javës. E ditën e parë të javës, jo më të shtunën, por të dielën - ne e kremtojmë si ditën e Zotit. S’kemi jetë pa të dielën – kanë thënë martirët e Abitenes, në Afrikën veriore. Ja, pra, kuptimi i Javës, që është zemra e vitit liturgjik të Kishës.
Pyetje: - Sot, për fat të keq, duket se të krishterët po e humbasin kuptimin e rëndësisë që ka Triditshja e Pashkëve….
Përgjigje: - Eshtë e trishtueshme të mendosh se për disa njerëz Pashkë do të thotë vezë të kuqe, shëtitje në det, vizita në shtëpitë e miqve, udhëtime pa fund, shëtitje në mal, ndeshje futbolli, ngujim para televizorit…. Të gjitha këto gjëra janë të mira, nuk janë të këqija. Por sigurisht nuk janë zemra e Pashkëve. Zemra e Pashkëve është pjesëmarrja në kremtimet e mistereve të Krishtit, të pranishme në Kishë. Secili nga ne duhet ta programojë gjithçka tjetër rreth kremtimit të këtyre misterve, përfshirë këtu edhe pushimin.
Pyetje: - Kujtojmë këtu edhe hiret e posaçme që fitohen duke marrë pjesë me gjithë shpirt në kremtimet e Javës së Madhe….
Përgjegje: - Sigurisht! Si gosti shpirtërore rreth sofrës së Zotit, na ushqen! Jezusi na ushqen me fjalën e tij, me sakramentet e tij, me Korpin e Gjakun e tij, na ushqen edhe me shoqërinë e mbarë bashkësisë së krishterë, sepse Zoti nuk na shpëtoi si një njeri i vetëm, por edhe si bashkësi. Kemi nevojë për të tjerët: për të qenë bashkë. Sa bukur është të shikosh, të Dielën Larit, turmën vigane që mblidhet në Sheshin e Shën Pjetrit! Shikon të rinj, pleq, fëmijë e deri foshnje, pastaj natyrisht meshtarë, murgesha, pastaj Papën rrethuar nga ipeshkvijtë e kardinajtë, mbarë popullin e Zotit me palma në duar për nder të Krishtit Zot! Sa bukur është të shikosh turmën që mblidhet në Kolose për të adhuruar Jezusin në Udhën e Kryqit, natën. Sa bukur, mbrëmjen e së Enjtes së Madhe, të shikosh Papën duke u larë këmbët 12 meshtarëve! Kush mund të thotë se gjithë këto pamje nuk flasin vetë? Thua mund të ketë punë tjetër më të rëndësishme për të bërë këto ditë? Do të dëshiroja të dija cila është kjo punë?







All the contents on this site are copyrighted ©.