2007-04-02 20:16:46

U mbyll solemnisht në Shën Gjonin e Lateranit faza dioqezane e Çështjes së Lumnimit të Karol Vojtilës: Njeri i lirë, sepse me rrënjë në Krishtin.


(02.04.2007 RV)Por - të rikthehemi nga Sheshi i Shën Pjetrit, i pushtuar nga emocionet e thella që u kujtuan besimtarëve ngjarjen e dy vjetëve më parë, në Sheshin e Shën Gjonit në Lateran, për t’u njohur me kremtimin e paradites.
U prit me gëzim nga mbarë bota kremtimi i paradites në Bazilikën romake të Shën Gjonit në Lateran, ku u mbyll, pas 21 muajsh, faza dioqezane e Çështjes së Lumnimit dhe të Shenjtërimit të Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II. Kremtimi u mbajt gjatë Orës së Gjashtë në bazilikën e mbushur përplot me kardinaj, ipeshkvij, autoritete politike e shumë besimtarë, të ardhur edhe nga Polonia. E me që bazilika nuk mund t’i zinte të gjithë, një pjesë e besimtarëve e ndoqi kremtimin nga sheshi para saj.
Por nuk ishte ky përkujtimi i parë i këtij pëvjetori, që nisi heret në mëngjes, kur kardinali Stanisalo Dgjivish kremtoi Meshën pranë varrit të Papës Vojtila, në kriptën e Vatikanit.
Hirësia e tij ripohoi se Gjon Pali II ishte ‘Papa i jetës’. Na mbush me gëzim e shpresë – shtoi kardinali Dgjivish – fakti se pikërisht shenjtëria bëhet tipari më karakteristik i jetës së tij e i shërbimit të tij.
E ndërsa ne po transmetojmë, Mesha e Papës ka përfunduar, por Sheshi i Shën Pjetrit, ashtu si dy vjet më parë, nuk është zbrazur. Vendin e besimtarëve që largoheshin e zunë menjëherë të rinjtë të cilët, të kryesuar nga ish-sekretari personal i Papës Vojtila, vijojnë natën e lutjes në kujtim të Gjon Palit II, duke ndjekur reflektimet e kryeipeshkvit Angelo Komastri, vikar i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për qytetin e Vatikanit. “Santo subito!” - "Shenjt menjëherë!" - britma e popullit të Zotit, që dy vjet më parë ndoqi salikimet e Gjon Palit II, jehoi përsëri sot paradite në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran e vijon të jehojë në Sheshin e Shën Pjetrit përplot me të rinj në lutje e në meditim, ashtu si i desh Gjon Pali II, i cili tek rinia shikoi gjithnjë ardhmërinë e Kishës!







All the contents on this site are copyrighted ©.