2007-04-02 17:34:21

Këshilli i NATO-s në Kosovë, një ditë para diskutimit në OKB.


(02.04.07 RV)Këshilli i 26 përfaqësuesve të NATO-s mbërriti sot në Kosovë për të kontrolluar sigurinë, në një moment të vështirë për vendin, një ditë para diskutimit të propozimit të Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Këshilli kryesohet nga sekretari i përgjithshëm, Jap de Hop Skefer dhe takohet me autoritetet e Kosovës. Ndërkaq, Gjermania ka dërguar 550 ushtarë, shtesë për kontingjentin e NATO-s në vend, për t’u bërë ballë problemeve eventuale që mund të lindin në këtë fazë kritike. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Jung ka deklaruar për gazetën gjermane “Die Welt” shqetësimin e Berlinit për keqësimin e situatës gjatë bisedimeve për të ardhmen e Kosovës.
Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës e kryeministri i Serbisë ndodhen tashmë në Nju Jork, ku nesër, në Këshillin e Sigurimit, do të diskutohet propozimi i Ahtisarit. Sot, Kryepeshkopi i Kishës ortodokse serbe në Kosovë, Amfilohje u ka bërë thirrje Rusisë dhe Kinës të vendosin veton kundër planit të ish-presidentit finlandez. Por, shpresës së serbëve për të pasur veton e Rusisë, u vë fre analisti i njohur moskovit, Fjodor Lukaniov, nga faqet e gazetës “Vecernje Novosti”. Sipas tij, qëllimi i Rusisë është të fitojë kohë në favor të serbëve e të ndryshojë diçka në planin e Ahtisarit, por vështirë që Moska do të përdorë veton para sinjaleve “të paarësyeshme” që arrijnë nga Beogradi. Interesat e Rusisë shkojnë shumë më përtej Kosovës e Moska nuk do t’i kompromentojë marrëdhëniet e saj me Perëndimin, jashtë një kufiri të caktuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.