Faleminderit papës Gjon Pali II për ç'ka ka bërë në favor të shqiptarëve.
(02.04.07 RV)Duam të kujtojmë
me nderim të veçantë veprimtarinë e Papës Gjon Pali II në favor të Shqipërisë, Kosovës
e të shqiptarëve kudo që ndodhen. Po e bëjmë këtë me fjalët që vetë Ati i Shenjtë
pat thënë, së pari në sheshin Skënderbej të Tiranës, në vizitën e tij të paharruar
të 25 prillit 1993, gjatë së cilës shuguroi ipeshkvijtë e parë shqiptarë të Kishës
Katolike, pas komunizmit: Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve
të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjellur farat e
shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë
në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat
e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë
që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore
shqiptare. E pastaj për Kosovën, sidomos kur në të ndizej lufta shqiptaro-serbe,
që shkaktoi kaq viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre trojeve, Papa Gjon
Pali II, në mesazhin e tij Urbi et Orbi, pikërisht për Pashkët e vitit 1999, pati
thënë: I lutem Zotit të ringjallur t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës
së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik
urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi,
për ata që janë larguar me forcë nga familjarët, për ata që janë detyruar të ikin
larg. Të mobilizohet solidariteti i të gjithëve, që më në fund të flitet sërish për
vëllazërim e paqe! Si të qëndrojmë pasivë para lumit të dhimbshëm të burrave e grave
të Kosovës që trokasin në derën tonë duke kërkuar ndihmë? Në këtë ditë
të shenjtë, unë e ndjej për detyrë t’u drejtohem me një thirrje të zjarrtë autoriteteve
të Republikës Federale të Jugosllavisë, që të lejojnë hapjen e një korridori humanitar,
i cili të mundësojë dërgimin e ndihmave për popullsitë e grumbulluara në kufirin e
Kosovës. Për veprat e solidaritetit nuk mund të ekzistojnë kufij; është gjithnjë detyrë,
hapja e korridoreve të shpresës. Në këtë ditë, dy vjet pas vdekjes së Papës
së madh Gjon Palit II, kombi shqiptar i bën homazh kujtimit dhe veprës së tij në favor
të shqiptarëve.