2007-04-01 16:43:49

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(01.04.2007 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e Larit e të Mundimeve të Krishtit.
Nesër, e hënë, fillon Java e Madhe: kremtohet, pra, e Hëna e Madhe. Këtë ditë Kisha përkujton edhe shën Françeskun nga Paola, vetmitar, themelues i Urdhërit të vetmitarëve të vegjël dhe Shën Marinë egjiptiane, pendestare.
Dita e parë e Javës së Madhe na fton të reflektojmë mbi ngjarjet e fundit të jetës së Jezusit, deri në ditën e Pashkëve. Ashtu si Maria në Betani, ftohemi ta nderojmë, me erën e mirë të uratës, Mësuesin që vjen të vizitojë shpirtin tonë e t’i japë jetë.
Kremtojmë pastaj të Martën e Madhe. Është nata e tradhtisë së Judës dhe e tronditjes së thellë të Apostujve, nata kur Gjoni mbështet kokën mbi kraharorin e Mësuesit e Pjetri e mohon. Por sidomos, është nata që pasqyron plotësisht dashurinë e Zotit për njeriun.
Të martën Kisha përkujton edhe Shën Sistin I papë; Shën Gjonin, ipeshkëv i Napolit dhe Shën Rikardin, ipeshkëv i Çiçesterit në Angli.
Të Mërkurën e Madhe dëgjojmë përsëri pyetjen tragjike të tradhtarit, që vijon të jehojë në rrjedhë shekujsh: “Thua jam unë, o Zot?”. Është një pyetje e tmerrshme që na trondit e na bën të reflektojmë thellë edhe sot. Thua jam unë tradhtari?
Do të përkujtohen të mërkurën edhe Shën Isidori, ipeshkëv i Sevilies e doktor i Kishës dhe Shën Benedikt Moro, françeskan.
Liturgjia e Fjalës së Zotit, që do të ndjekim të Enjten e Madhe, na kujton se kelku i Zotit është dhuratë shëlbuese. Kremtojmë Darkën e Mbrame të Krishtit, të Qingjit që flijohet për shëlbimin tonë. Gjaku i tij lan flligështitë tona e lidh besën e re, përfundimtare, me Zotin. Të ndalohemi për ta adhuruar Sakramentin e dashurisë “deri në fund të fundit”.
Përkujtohen të enjten edhe Shën Vinçenci Ferrer, meshtar dominikan e Shën Irena, virgjër e martire
Të Premten e Madhe në kujtesën e njerëzimit përsëritet fjala e fundit e Njeriut-Zot që vdes në kryq: “Në duart tua, o Atë, po e lëshoj shpirtin tim!”. Ndjekim, këtë ditë, në lutje, mundimet dhe vdekjen e Krishtit, njeriut të dhimbjeve njeriut të butë, të shpërfytyruar nga torturat e i afrohemi me besim kryqit të tij, si fronit të hireve.
E premtja na kujton edhe Shën Galën, vejushë romake e shën Pjetrin e Veronës, meshtar dominikan e martir.
Varri i Jezusit është zhytur në heshtje të thellë. Eshtë heshtja e së Shtunës së Madhe. Zemra jonë përgatitet për të kremtuar me gëzim Ngjalljen, Pashkët e Zotit.
Vjen pastaj e Diela kulmore e vitit : dita e Pashkëve të Ngjalljes.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.