2007-03-30 18:24:08

Lajme nga bota.


(30.03.07 RV)Senati amerikan miratoi ligjin që i kërkon Shtëpisë së Bardhë të tërheqë trupat nga Iraku deri në mars të vitit 2008. Presidenti Bush ka përsëritur disa herë se do përdorë veton për të mos lejuar hyrjen në fuqi të këtij ligji. Gjithsesi, senati ka caktuar 122 miliard dollarë për misionet jashtë vendit.
Ndërkaq, në Bagdad, rreth 130 persona humbën jetën e 200 të tjerë u plagosën gjatë 24 orëve të fundit nga një numër sulmesh vetvrasëse, në pjesë të ndryshme të Irakut.


Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të miratojë një deklaratë përmes së cilës shprehet shqetësimi i thellë për ndalimin e 15 ushtarëve britanikë nga Irani. Edhe Bashkimi Evropian, në përfundim të sesionit të sotëm të mbledhjes dy-ditore të ministrave të jashtëm në Bremen të Gjermanisë, doli me një deklaratë në të cilën kërkohet “Lirimi i shpejtë” i marinarëve. Sot autoritetet iraniane kanë bërë të njohur letrën e tretë të të vetmes grua të grupit, në të cilën kritikohen qeveritë e Londrës dhe të Uashingtonit e kërkohet tërheqja e tyre nga Iraku. Natyrisht, letra është konsideruar propagandë nga autoritetet britanike.


Një arkitekturë që të sigurojë ruajtjen e energjisë brenda ndërtesave mund të ndihmojë më tepër në luftën kundër ngrohjes globale, se sa disa nga masat e parashikuara me Protokollin e Kiotos. Ky përfundim përmbahet në një studim të OKB-së. Studimi vë në dukje disa nga këto strategji, të cilat përdoren tashmë në ndërtimin e shtëpive, sidomos në vendet veriore të botës. Të tilla janë: përdorimi i disa metaleve dhe i drurit në ndërtime, apo orientimi i shtëpive nga jugu në mënyrë që të ngrohen më shumë nga dielli, duke zvogëluar kështu përdorimin e ngrohjes artificiale, etj.


Pas kritikave të ashpra që i drejtoi dje Arabia Saudite, kryeministri izraelit Ehud Olmert deklaroi sot se është gati të ulet në tryezën e bisedimeve me Riadin dhe se mund të arrihet në një paqe të qëndrueshme për krejt rajonin, brenda 5 vjetësh. Olmert tha gjithashtu se plani i miratuar dje nga Lidhja Arabe, me titull “Tokë në këmbim të paqes me Izraelin”, është një bazë e mirë për diskutim, por nuk mund të zbatohet drejtpërdrejt ashtu siç është. Vetë vendet arabe janë mjaft të ndara ndërmjet tyre dhe më fondamentalistet nuk duan të ulen në tryezë bisedimesh me Izraelin. Prandaj, dokumenti i Lidhjes Arabe, sipas opinionit të vëzhguesve nuk është një zgjidhje, por një dëshirë e mirë për zgjidhje.







All the contents on this site are copyrighted ©.