2007-03-30 17:33:27

Atë Kantalamessa: nga Jezusi çdo i krishterë duhet të mësojë jo vetëm mëshirën, por edhe gëzimin e faljes, që pajton shpirtrat.


(30.03.2007 RV)Kështu u shpreh sot predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Raniero Kantalamesa, gjatë predikimit të fundit në praninë e Papës dhe të Kuries Romake. Për bashkësinë, pajtimi është si vaji për motorin, sepse ashtu si vaji, zhduk çdo pengesë e u krijon njerëzve kushtet të jetojnë në harmoni. Me këtë mendim Atë Kantalamesa përfundoi sot reflektimin mbi Lumninë e pestë të Shën Mateut ungjilltar: “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjenë mëshirë”.
Në se Lumnitë janë portreti i Jezusit, edhe ushtrimi i mëshirës duhet shikuar nga besimtari me atë sy që e pa vetë Krishti. Nga ky këndvështrim u nis Predikatari për reflektimin e së premtes që i paraprin Javës së Madhe. E gjithë Bibla – shpjegoi Atë Kantalamesa – përshkohet nga koncepti i mëshirës së Zotit përballë pabesive të popullit. Mëshirë e parë në dy drejtime: e Zotit për njerëzit dhe e njerëzve për njëri-tjetrin.
Zoti është gjithnjë gati të falë, por respekton lirinë e njeriut për ta pranuar këtë falje e pastaj edhe për t’i falur të tjerët, pa harruar se mëshira e Zotit i paraprin gjithnjë mëshirës njerëzore:
“Shembëlltyra e dy shërbëtorëve është kyçi për të shpjeguar si duhet lidhjen ndërmjet mëshirës së Zotit e asaj të njeriut. Në të shihet si është zotëria që, i pari e pa kushte, ia fal borxhin e madh shërbëtorit; e pikërisht bujaria e tij duhet ta shtynte shërbëtorin të kishte mëshirë ndaj njeriut, i cili i kishte borxh një shumë të vogël të hollash. Duhet, pra, të kemi mëshirë, sepse jemi mëshiruar, përndryshe mëshira e Zotit nuk do të ketë efekt e Ai i Lumi do të na e marrë përsëri, si bëri zotëria i shembëlltyrës me shërbëtorin e pamëshirë”.
Në përfundim predikatari, duke përdorur figurën e krahasimit, theksoi:
 “Falja për bashkësinë është si vaji për motorin. Në se ndokush del me makinë pa asnjë pikë vaji në motor, pas pak kilometrash do të ndizet flakë. Ashtu si vaji, edhe falja zhduk rrezikun e ndezjes së sherrit. Ta gjejmë pra, në marrëdhëniet tona me njerëzit, ku duhet përdorur vaji i mëshirës e i pajtimit e ta përdorim në heshtje, pa kurrfarë kursimi, me rastin e Pashkëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.