2007-03-29 19:15:52

Vazhdon kriza Britani e Madhe – Iran.


(29.03.07 RV)Vazhdon kriza Britani e Madhe – Iran për shkak të 15 marinarëve të kapur nga Teherani. Sot Sekretari i Këshillit për sigurinë kombëtare, Ali Larizhani deklaroi se pavarësisht nga vendimi i djeshëm për lirimin e gruas marinare, pas sjelljes jo korrekte të Londrës, vendimi është pezulluar. Ndërkaq, Ministri i Jashtëm iranian, Manuher Motaki kërkoi që Britania e Madhe të pranojë se 15 ushtarët janë arrestuar në ujërat e Iranit, pavarësisht se imazhet satelitore të paraqitura nga Londra provojnë se ata kanë qenë në ujrat irakiane.
Televizioni iranian paraqiti grupin e marinarëve, që pranonin se kanë hyrë pa leje në ujërat iraniane në Gjirin Persik, të premten e kaluar. Ministri i Mbrojtjes i Britanisë, Des Braun e cilësoi të "papranueshëm" videon. Britania e Madhe ka paraqitur një projektrezolutë në Këshillin e Sigurimit, për lirimin e menjëhershëm të marinarëve. Bashkimi Evropian është shprehur tashmë kundër aktit të Teheranit, e sot Parisi, i pari, thirri ambasadorin iranian për t’i dorëzuar protestën e qeverisë franceze.
I vetmi lajm pozitiv është se pas një nate bisedimesh intensive diplomatike, 15 marinarët britanikë mund të vizitohen nga autoritetet konsullore në Iran.








All the contents on this site are copyrighted ©.