2007-03-28 19:45:54

Shën Ireneu i Lionit: në audiencën e përgjithshme Papa vijoi ciklin e katekizmit mbi Etërit apostolikë


(28.03.07 RV)RealAudioMP3 Feja që përmbahet në Ungjill nuk është privilegj për pak intelektualë, por është e arritshme dhe e pranueshme për të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve, pasardhësve të Apostujve, duke u nisur nga Papa. Kështu Ati i Shenjtë Jozef Racinger iu drejtua mëse 20 mijë besimtarëve të pranishëm sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për audiencën e përgjithshme, duke folur mbi unicitetin, mbi universalitetin dhe frymëzimin hyjnor të krishterimit ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga Shën Ireneu ipeshkëv i Lionit, qysh në vitin 200 pas Krishtit, në kohën e herezisë gnjostike.
“ Mësimi i vërtetë është ai që japin ipeshkvijtë, të cilët mund të provojnë se e kanë marrë përmes një tradite të pashkëputshme nga Apostujt”. Pohimi i këtyre fjalëve, pak para dymijë vjetësh, i mundësoi Ireneut ipeshkëv të Lionit të hedh poshtë mendimin sektar të gnostikëve që shkonin duke predikuar një krishterim të tipit “elitar, intelektualist”. Sipas tyre e vërteta e Ungjillit mund të kuptohej vetëm nga grup i vogël, përbërë prej intelektualësh e njerëzish të ditur, duke u lënë turmave e të njerëzve të thjeshtë simbolizmin, pasi sipas tyre, ata nuk janë në gjendje ti kuptojnë gjërat e vështira të doktrinës.
Benedikti XVI kujtoi dhe lavdëroi cilësitë e Ireneut, ipeshkëvit të lashtë francez, të cilin Papa e quajti “kampion të luftës kundër herezive” dhe të aftë të ripohoi “konceptin e pastër të traditës apostolike”:
Tradita apostolike është publike, jo private apo sekrete. Për Ireneun nuk ka kurrfarë dyshimi se përmbajtja e fesë së krishterë që transmetohet nga Kisha është ajo e marrë prej apostujve e prej Jezusit, Birit të Zotit. Nuk ekziston mësim tjetër përpos këtij. Prandaj, kush dërishon ta njohë doktrinën e vërtetë mjafton ta njohë traditën që vjen prej apostujve e fenë që iu është kumtuar njerëzve. Tradita e feja – kështu thoshte Ireneu – kanë mbërrijë deri tek ne përmes pasardhësve të ipeshkvijve”.
Në këtë traditë, ripohoi në vazhdim të katekizmit të audiencës së sotme Benedikti XVI, “duhet konsideruar në mënyrë të posaçme mësimi i Kishës së Romës, i Kishës kryesore e tejet të lashtë, e cila – tha Papa – ka ‘apostolicitetin më të madh’ sepse e ka zanafillën e saj prej vetë ‘shtyllave’ të Kolegjit apostolik: Pjetrit e Palit”. E prej tyre, deri tek ipeshkvijtë e sotëm, Tradita apostolike dëshmon edhe një tipar tjetër: atë të “unicitetit”. Për ta përshkruar këte, Papa përdori të njëjtat fjalë që i pati menduar Ireneu për t’i kundërshtuar heretikët:
“Kisha, megjithëse është e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes fenë e apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën mënyrë, beson në këtë të vërtetë sikur të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton sikur të kishte vetëm një gojë”.
Tradita apostolike, së fundi, ka një tipar të tretë: ajo është “e frymëzuar nga Shpirti Shenjtë” tha Papa gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme kushtuar figurës së Shën Ireneut:
“Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë, për një transmetim që i besohet aftësisë e shkathtësisë së njerëzve pak a shumë të përgatitur mirë e të mençur, por është Shpirti i Zotit ai që garanton besnikërinë e transmetimit të fesë. Kjo është jeta e Kishës, kjo është ajo që Kishën e bën kurdoherë të freskët e të re, të frytshme në karizma të shumta”.
Pas katekizmit e përshëndetjes së grupeve të ardhur prej vendeve të ndryshme të botës, shqiptuar në 10 gjuhë, Papa Benedikti XVI e përfundoi audiencën e përgjithshme me një mendim të veçantë drejtuar Kishës siciliane, ipeshkvijtë e së cilës këtyre ditëve gjenden në Romë për vizitën e tyre pesëvjeçare Ad Limina Apostolorum. Me fjalët e Shën Timoteut, Ati i Shenjtë i ftoi ipeshkvijtë e ishullit, ta predikojnë Fjalën e Zotit të plotë, “në çdo rast të volitshëm e të pavolitshëm” dhe me “hov e zell të ri”, e pastaj Papa shtoi
Kurrfarë frikë të mos ju befasojë e shqetësojë zemrat tuaja, të dashur vëllezër e motra. Kush e ndjek Krishtin nuk frikësohet prej vështirësive; kush mbështetët në Të ecën i sigurt përpara. Bëhuni ndërtues të paqes në legalitet e në dashuri, duke i ofruar dritën e Krishtit njerëzve të kohës sonë, të cilët me gjitha mundimet e vështirësitë e jetës së përditshme, e ndjejnë zërin (thirrjen) e realiteteve të përjetshme e të amshuara”.







All the contents on this site are copyrighted ©.