2007-03-28 19:08:10

Serbët dhe shqiptarët në garë dipllomatike për përkrahës mbi Kosovën.


(28.03.07 RV)Si shqiptarët, ashtu edhe serbët kanë filluar garën diplomatike për të fituar sa më shumë përkrahës për qëndrimet e tyre ndaj Kosovës. Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj është nisur sot për në Nju Jork ku do të takohet me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Misioni i tij është bindja e ambasadorëve se pavarësia e Kosovës është e domosdoshme.
Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica ka deklaruar për mediat se “Refuzimi i planit të kryenegociatorit Marti Ahtisari, që parashikon pavarësi të mbikqyrur për Kosovën, është prioritet kryesor për Serbinë”. Nga ana e tij, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu konfirmoi sot se i ka ftuar ambasadorët e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vizitojnë Kosovën, për t'u njohur me të. Ai sqaroi se në veçanti ka ftuar ato vende që ende nuk janë deklaruar qartë për statusin e Kosovës.

Nëse Këshilli i Sigurimit të OKB-së miraton planin e Ahtisarit, Rusia do të kërkojë hetime lidhur me zbatimin e të gjitha rezolutave paraprake të OKB-së në Kosovë. Deklarata vjen nga ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ministria e Jashtme ruse ka nxjerrë një komunikatë për mediat, ku thuhet se themelimi i një shteti kosovar do të ketë efekt negativ për stabilitetin e Evropës.
Ndërkaq sot, në një bisedë telefonike ndërmjet presidentit rus Putin dhe atij amerikan Bush, Putin ka përsëritur qëndrimin e Moskës, sipas së cilës Rusia është kundër çdo lloj zgjidhjeje që u imponohet Serbisë dhe Kosovës, dhe dëshiron një status të pranueshëm për të dyja palët.








All the contents on this site are copyrighted ©.