(28.03.07 RV)Duke cituar burime të qeverisë iraniane, televizioni turk ka bërë
të ditur se gruaja marinare e arrestuar sëbashku me 14 shokët e saj britanikë, do
të lirohet. Ndërkaq, Britania e Madhe ka vendosur të pezullojë të gjitha marrëdhëniet
dypalëshe me iranin, deri në lirimin e marinarëve, që sipas Teheranit janë kapur duke
shkelur ujrat territoriale iraniane, por sipas Londrës, ata kanë qenë në ujrat irakiane.
Sot, zv.admirali britanik, Çarls Stajll tregoi në një konferencë shtypi, provat satelitare
se marinarët gjendeshin 1,7 milje detare në brendësi të ujrave territoriale të Irakut.
Kryeministri britanik Tony Blair, duke folur në parlament, theksoi se Irani duhet
ta ndjejë veten totalisht të izoluar për këtë çështje. Javën e ardhshme, Britania
e Madhe do të marrë në dorë kryesinë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Dhuna
sektare ka përfshirë tashmë krejt Irakun. Teatër i tragjedisë së fundit, pasojë
e hakmarrjes së dyfishtë sunite-shiite është Tal Afari, qytet veriperëndimor në kufi
me Sirinë. Pas atentatit të djeshëm kundër bashkësisë shiite, në të cilin gjetën vdekjen
75 vetë, gjatë natës janë ekzekutuar edhe 50 të tjerë, kësaj radhe sunitë. Mes ekzekutuesve
edhe policë shiitë. Në qytet është vendosur shtetrrethimi e janë arrestuar 18 vetë.
U hap sot në Riad të Arabisë Saudite mbledhja vjetore e Lidhjes Arabe,
nga e cila pritet shumë për zbatimin e planit të paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.
Në prag të takimit, sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs u kërkoi vendeve
arabe t’i japin mundësi më të mëdha shtetit hebraik. Por Xhihadi Islamik ka bërë të
ditur që tani, se nuk do të pranojë asnjë lloj vendimi që parashikon njohjen e shtetit
të Izraelit.