U publikua programi i kremtimeve të Javës së Madhe, që do të kryesohen nga Papa.
Më 6 prill ‘Udha e Kryqit’ në Koloseo. Të dielën, më 8 prill, Mesha e Pashkëve dhe
Bekimi Urbi et Orbi.
(27.03.2007 RV)Me Javën e Shenjtë ose Javën e Madhe, siç quhej në shekullin
IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë – përfundojnë Krezhmët
e hyjmë në kremtimet e Pashkëve. Zyra e Kremtimeve liturgjike publikoi sot programin
e kremtimeve të Javës së Madhe që do të kryesohen nga Ati i Shenjtë. Java e Madhe
do të nisë me të Dielën e Larit, më 1 prillin e ardhshëm, e do të arrijë kulmin
me Triditshën e Pashkëve, qendër e gjithë vitit liturgjik. Në Javën e Madhe,
Kisha kremton misteret e shëlbimit: “Vepër e shpërblimit e kryer nga Krishti i cili,
duke vdekur, e shkatërroi vdekjen e, duke u ngjallur, na dha përsëri jetë ne të gjithëve”. Benedikti
XVI do t’i kryesojë të gjitha ritet e Javës së Madhe, duke filluar nga 1 prilli i
ardhshëm në orën 9. 30 me Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit për të Dielën e Larit
e të Mundimeve të Zotit. Kjo datë përkon me Ditën XXII Botërore të Rinisë me temë
«Ashtu si ju kam dashur unë, ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin! », që do
të kremtohet në nivel dioqezan. Para se të fillojë proçesioni eukaristik, Ati i Shenjtë
do të bekojë larin, palmat e degët e ullinjve, ndërsa në përfundim të proçesionit,
do të kremtojë Meshën Shenjte të Mundimeve të Krishtit. Të Enjten e Madhe,
më 5 prill, duke nisur nga ora 9. 30, Shenjtëria e Tij do të kryesojë bashkëkremtimin
e Meshës së Bagmit në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit do të bekohet vaji i
katekumenëve dhe i të sëmurëve. Bashkëkremtimi i Papës me kardinajtë, ipeshkvijtë
e meshtarët e pranishëm në Romë do të jetë simbol i bashkimit të ngushtë ndërmjet
Kryebariut të Kishës universale dhe bashkvëllëzërve të tij në meshtari. Triditshja
e Mundimeve dhe e Ngjalljes së Zotit, ‘kulm i gjithë vitit liturgjik’ do të fillojë
me Meshën e Darkës së Fundit të Krishtit, që Papa do ta kremtojë duke nisur
nga ora 17. 30 në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Benedikti XVI do t’u lajë këmbët
12 burrave. Gjatë ritit, të pranishmëve do t’u drejtohet ftesa për të bërë një akt
bamirësie si ndihmë për Dispanserinë e Baidoas në Somali. Shuma që do të mblidhet
do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë në çastin e paraqitjes së dhuratave. Të Premten
e Madhe, më 6 prill, në orën 17. 00, Shenjtëria e Tij do të kryesojë, në Bazilikën
e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me ritin e Adhurimit të Kryqit e pastaj,
në mbrëmje, në orën 21. 15, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseo, në përfundim
të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do të japë bekimin e tij apostolik. Sivjet
Meditimet e Udhës së Kryqit janë përgatitur nga imzot Gjanfranko Ravazi, prefekt i
Bibliotekës Ambroziane. Të Shtunën e Madhe, me 7 prill, në orën 22. 00
Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit.
Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet si ‘Nëna e të gjitha
netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar duke pritur Ngjalljen
e Zotit me kremtimin e sakramenteve fillestare të jetës së krishterë. Kremtimi do
të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës, pasuar nga Mesha
shenjte e kryesuar nga Benedikti XVI. Më 8 prill, Solemniteti i Pashkëve, në orën
10. 30, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në Sheshin e Shën Pjetrit e më pas, nga
lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’. Fillon
kështu “Koha e gëzueshme’ e Rrëshajëve, kur Kisha kremton praninë e Krishtit të ngjallur
dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt. Këtë vit Pashkët, ndërmjet tjerash, përkojnë me ditëlindjen
e Atit të Shenjtë që pikërisht më 16 prill mbush 80 vjet: tri ditë më pas, më 19 prill,
mbushen dy vjet nga fillimi i papnisë së Benediktit XVI.