(27.03.2007 RV)Sipas historisë së martirizimit të tij, me ngjyrime të theksuara
legjendare e fantastike, Aleksandri, legjionar romak, kryente shërbimin ushtarak
nën urdhërat e tribunit Tiberiani, në kohën e sundimit të perandorit Maksimiani (286-305).
U ftua të flijonte për nder të Jovit, në festën e përurimit të tempullit, kushtuar
atit të zotave paganë, që përkonte me Zeusin e mitologjisë greke. Nuk pranoi. Për
më tepër, deklaroi hapazi se nuk mund të adhuronte zotat e rremë, në sa i besonte
dhe i shërbente Zotit të vërtetë. E arrestuan menjëherë dhe e zvarisën para perandorit.
Përsëriti me guxim gjithë ç’kishte dëshmuar në çastin e arrestimit. Atëherë nisën
ta torturonin, por ai nuk u lëkund për asnjë çast. Ia dorëzuan Tiberianit, i cili
e mori me vete në Thrakë, ku pësoi tortura të reja, të cilat i përballoi me guxim
të madh. E nisën atëherë në Iliri, ku e lëvizën nga një vend në tjetrin, duke e pyetur
për fenë e tij të re e duke vijuar ta torturonin në njëmijë mënyra, derisa Tiberiani
e dënoi me prerjen e kokës në Drizipara, jo larg nga Karistirani i sotëm. Trupi i
tij u flak në një lum, ku e ëma, Pemenia, që e kishte ndjekur pas kudo, e shpëtoi
me ndihmën e katër qenve. Kulti i Shenjtit nis që në shekullin VI në Drizipara,
ku banorët lartuan një kishë madhështore, pikërisht në vendin ku e kishte varrosur
e ëma. Kisha u plaçkit e u rrenua në fillim të viteve 600 gjatë dyndjeve të fiseve
barbare të avarëve të cilët, sipas dëshmisë së kronistit bizantin Teofilat Simokati,
dhunuan edhe reliket e shenjtit. Por – vijon kronisti - pësuan aty për aty ndeshkimin
hyjnor: u sëmurën e vdiqën nga murtaja. Martiriologu romak e kremton Shën Aleksandrin
më 27 mars.