2007-03-26 18:09:29

U kremtua sot solemniteti i Lajmërimit të Zotit.


(26.03.2007 RV) Siç e shpjegoi edhe Papa në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, solemniteti nuk u kremtua, si çdo vit, më 25 mars, por u shty për sot për shkak të kremtimit të së Dielës së pestë të Krezhmëve.
Kujtojmë se sipas një tradite shumë të lashtë, shtëpia e Marisë, ku Engjëlli Gabriel i solli Virgjërës lajmin e Mishërimit të Zotit, identifikohet me shpellën e cila sot ndodhet në kriptën e Bazilikës së Lajmërimit në Nazaret. Një pjesë e kësaj shtëpie, gjithnjë sipas traditës – u mbart mrekullisht nga disa engjëj nga Nazareti në Loreto, në zonën italiane të Markeve. Shtëpia e Shenjtë – siç quhet - ndodhet edhe sot në Bazilikën e Loretos, deklaruar nga Gjon Pali II ‘Shenjtërore ndërkombëtare”, cak shtegtimet për mijëra besimtarë nga të katër anët e botës. E 25 marsi, ditë tradicionale e Lajmërimit të Zotit kremtohet nga Kisha edhe si ditë e jetës. Pse?
Përgjigje: - Dita e 25 marsit, ditë kur Kisha kujton lajmërimin dhe pranimin e planit të Zotit nga Virgjëra Mari, i është dukur të gjithëve si dita më e përshtatshme për t'i kënduar jetës. Në shtëpinë e vogël të Nazaretit, nën strehën e Marisë, në çastin kur Ajo iu përgjigj "po" ëngjëllit, filloi ngjarja më e madhe që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Në jetën njerëzore nisi të banojë vetë Zoti. Zoti u bë njeri. Ç'ngjarje më e madhe mund t'i ndodhte njeriut? Dëshirojmë prandaj, duke u nisur nga kjo ditë, të rifillojmë këngën e jetës që, siç e theksoi edhe papa Benedikti XVI në audiencën me pjesëmarrësit e Kongresit të COMEÇE-s (Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian), ka heshtur në shumë familje, që nuk dëgjohet më në shoqëri: është shuar, sepse sot thithim një ajër morti, ajrin e përbuzjes për jetën, që nis në prehër të nënës, duke përshkuar, më pas, të gjitha fazat e veta. Duam të lartojmë zërin së bashku me Marinë: t'i themi "Po" jetës, sepse jeta është e bukur, sepse jeta është dhuratë e Zotit, sepse jeta është një aventurë mahnitshme, sepse jeta duhet jetuar duke kënduar "Magnificat" - "Zemra ime madhëron Zotin".
Pyetje: - Një nga lutjet më të reja, drejtuar Shën Marisë së jetës?
Përgjigje: - "O Mari, në zemrën tënde jeton përgjithnjë kujtimi i ditës së madhe kur the "Po". Ti kthehesh pambarimisht në shtëpinë e vogël të Nazaretit dhe mahnitesh përpara Kryeengjëllit Gabriel, që të sjell lajmin se Zoti dëshiron të bëhet njeri, si ne. E sot ne hyjmë në zemrën tënde, për të shijuar mrekullinë që provove atë ditë sa të largët, aqë të afërt, ditën kur the "po". Dëshirojmë të jetë dita e "po" sonë, e ta themi së bashku me ty, o Mari!" Sot impenjohemi të lutemi për jetën. Mbretëreshë e jetës, lutu për ne, lutu me ne, lutu për jetën!
Kështu e shpreh poetikisht kjo lutje mahnitjen para asaj që ngjau në Shtëpinë e vogël të Nazaretit. Ndërsa Poeti ynë kombëtar, Atë Gjergj Fishta, i këndon kështu, në poezinë "Nuncjata", ndikimit që pati kjo ngjarje e madhe mbi gjithë njerëzimin:
T’falna, Mrí ! edhe na po t’ thona,
O Zojë Virgjin hire-plote!
E nder gzime e kobe t’ona,
Qi na i sjellin t’egrat mote,
E kur n’nadje t’zbardhe drita,
E kur n’mbrame t’erret dita:T’falna, Mri, na t’ thom’ me gzim!







All the contents on this site are copyrighted ©.