2007-03-26 18:08:47

Lajmërimi i Zotit dhe vlera e martirizimit të krishterë: në qëndër të reflektimeve të Engjëllit të Tënzot.


(26.03.2007 RV)RealAudioMP3 Po e fillojmë programin e sotëm me përshëndetjen e Benediktit XVI drejtuar fëmijëve dhe prindërve shqiptarë nga Berati, të pranishëm në lutjen e Engjëllit të Tënzot me mësueset e përshpirtshme Filipini, që kryejnë prej vitesh misionin e tyre në qytetin e përmendur shqiptar:
‘Me dashuri përshëndes edhe fëmijët e shkollës së mësueseve të përshpirtshme Filipini në Berat, të pranishëm së bashku me prindërit e tyre”.
Lajmërimi i Zotit - Mister mahnitës dhe vlera e martirizimit të krishterë të dëshmitarëve të fesë, që nuk e kërkojnë vdekjen por e jetojnë si aktin më të lartë të dashurisë për vëllezërit - ishin në qëndër të vëmendjes së Papës në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot
Kujtojmë se e diela e ardhshme është e Diela e Larit e njëkohësisht, Dita XXII botërore e rinisë. Benedikti XVI do takohet me të rinjtë e dioqezës së Romës për liturgjinë pendestare, të cilën do ta kryesojë të enjten pasdite në Bazilikën e Shën Pjetrit.
“Lajmërimi i Zotit është edhe festë kristologjike” – shpjegoi Papa - sepse kremton misterin kryesor të Krishtit: Mishërimin e tij. Mister mahnitës feje – shtoi Ati i Shenjtë – ngjarje e përvujtë, e fshehur – askush nuk e sheh, askush nuk kujtohet, përveç Marisë – e megjithatë është ngjarja më vendimtare për historinë e njerëzimit. Kështu e kujtoi Benedikti XVI solemnitetin e sotëm të Lajmërimit të Zotit, që zakonisht bie më 25 mars, por që sivjet, me që përkonte me të Dielën e pestë të Krezhmëve, u shty për sot.
Papa u ndalua në mënyrë të veçantë tek pohimi i Virgjërës Mari, që e kundrojmë në Lutjen e Engjëllit të Tënzot:
“Qe shërbëtorja e Tënzot, u bëftë mbi mua si është Fjala jote !”. Përgjigja që Maria i jep Engjëllit vijon në Kishë, e cila është e thirrur ta bëjë Krishtin të pranishëm në histori, duke ofruar gatishmërinë e saj, që Zoti të vijojë ta vizitojë njerëzimin me mëshirën e vet ».
Në të vërtetë – shtoi Ati i Shenjtë – pohimi i Marisë është pasqyrim i përkryer i pohimit të vetë Krishtit kur hyri në botë, siç shkruhet në Letrën drejtuar Hebrenjve, ku shpjegohet Psalmi 39 : « Ja, unë po vij – sepse për mua është shkruar në rrotullën e librit – për të bërë, o Zot, vullnetin tënd ! ».
E Benedikti XVI nënvizoi se pohimi i Jezusit e i Marisë përsëritet në pohimin e shenjtorëve, sidomos të martirëve, që mbyten për kauzën e Ungjillit. Kujtoi, në vijim, se pikërisht të shtunën e kaluar, në përvjetorin e vrasjes së imzot Oskar Romeros, kryeipeshkëv i San Salvadorit, u kremtua Dita e lutjes dhe e agjërimit për misionarët martirë : ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e laikë, të mbytur në sa kryenin misionin e tyre në shërbim të ungjillëzimit e të përparimit njerëzor. Misionarët martirë – pohoi Papa – janë « shpresë për botën » - dhe më pas shpjegoi vlerën e krishterë të martirizimit:
« Martirizimi i krishterë përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit ».
Martirët – tha Papa – dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fortë se dhuna e se urrejtja :
« Ata nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit ».Pas lutjes mariane – Papa kujtoi se të dielën e ardhshme do të kremtohet Dita XXII botërore e rinisë, sivjet me temë «Ashtu si ju kam dashur unë, ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin! ». Për t’u përgatitur për këtë takim e për kremtimin e Pashkëve, Benedikti XVI i ftoi të rinjtë e dioqezës së Romës në liturgjinë pendestare, që do ta kryesojë të enjten pasdite në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ata që dëshirojnë – njoftoi Papa – do të kenë mundësi të marrin sakramentin e rrëfimit, takim i vërtetë me dashurinë e Zotit, për të cilin çdo njeri ka nevojë, që të jetojë me gëzim e në paqe.







All the contents on this site are copyrighted ©.