2007-03-24 16:17:01

Popujt evropianë nuk duhet t’i harrojnë vlerat e krishtera, themel i shëndoshë për Evropën e bashkuar – u kujtoi Papa pjesëmarrësve në Kongresin e COMECE-s në 50-vjetorin e Traktateve të Romës.


(25.03.2007 RV)RealAudioMP3 Më 25 mars 1957, me kushtetutën e Bashkësisë ekonomike evropiane (Cee) dhe Bashkësinë për energjinë atomike (Euratom) lindi institucionalisht Evropa. Ngjarja nuk ka të bëjë vetëm me botën politike dhe institucionale të Kontinentit, por edhe me atë kishtare. Prandaj në atmosferën e kremtimeve përkujtimore, në Romë u mbajt Kongresi evropian “Vlera e perspektiva për Evropën e nesërme’, organizuar nga Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian, pjesëmarrësit e të cilit u pritën dje në audiencë nga Benedikti XVI.
Vlerat e krishtera duhet të jenë tharm i qytetërimit për Evropën e Mijëvjeçarit të Tretë. Ky është thelbi i reflektimit të Papës, që i nxiti gjithë të krishterët e Kontinentit të vjetër të impenjohen për një Evropë të drejtë e solidare, në sa qeveritë e Bashkimit, të mos e përjashtojnë një element kaq themelor, siç është krishtërimi. Ati i Shenjtë vuri theksin pikërisht mbi vlerat që themeluan Evropën e Bashkuar:
“Nuk mund të mendohet ndërtimi i shtëpisë së vërtetë të përbashkët evropiane duke lënë pas dore identitetin e popujve të Kontinentit tonë. Ky identitet, para se të jetë gjeografik, ekonomik e politik, është historik, kulturor e moral: identitet që përbëhet nga një tërësi vlerash universale, për formimin e të cilave kristianizmi nuk luajti thjeshtë një rol historik, por e themeloi Evropën. Vlera të tilla, që përbëjnë shpirtin e Kontinentit, në Evropën e Mijëvjeçarit të Tretë duhet të jenë tharm i qytetërimit”.
Në se i mungojnë këto vlera – pyeti Papa – si do të mundet Kontinenti i vjetër të jetë tharm për mbarë botën? Nuk të çudit, prandaj – vijoi Ati i Shenjtë - fakti që Evropa e sotme, ndërsa dëshiron të paraqitet si bashkësi vlerash, duket se gjithnjë më shpesh u kundërvihet pikërisht vlerave universale e absolute. Për Papën kjo është apostazi apo largim nga vetvetja, përpara se nga Zotit. E një fenomen i tillë të shtyn të dyshosh mbi vetë identitetin e bashkësisë.
“Një bashkësi që formohet pa respektuar dinjitetin e vërtetë të njeriut, duke harruar se çdo person është krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit, në fund të fundit nuk mund të jetë e mirë për asnjeri. Ja se pse duket e domosdoshme për Evropën të ruhet nga një sjellje e tillë pragmatike, që sot është shumë e përhapur e që përligj sistematikisht kompromisin mbi vlerat themelore, me pretekstin se zgjedhja e së keqes më të vogël është e pashmangshme”.
Prandaj - vijoi Papa - në çastin historik aktual, në se Bashkimi Evropian dëshiron të garantojë shtetin e së drejtës dhe të mbrojë vlerat universale, duhet të pranojë qartë se natyra njerëzore nuk ndryshon e se kjo natyrë është burim i të drejtave të të gjithë njerëzve, edhe atyre që e mohojnë. Në këto rrethana –shtoi Ati i Shenjtë – duhet mbrojtur e drejta e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, sa herë që dhunohen të drejtat e njeriut. Më pas Papa nënvizoi kërkesën për vendosjen e ekuilibrit të shëndoshë ndërmjet përmasës ekonomike e asaj shoqërore, duke shpjeguar se rruga demografike në të cilën ecën sot Evropa, mund të vërë në rrezik jo vetëm zhvillimin ekonomik dhe kohezionin shoqëror, por të nxisë edhe individualizmin e rrezikshëm, që nuk shqetësohet fare për pasojat e së ardhmes.
Evropa – shtoi me keqardhje Papa, duket se po e humbet besimin në të ardhmen e vet. Procesi i bashkimit nuk pranohet njëlloj nga të gjithë për shkak se nuk u përgjigjet dëshirave të të gjithë shtetasve.
E di sa e vështirë është sot për të krishterët të mbrojnë të vërtetën mbi njeriun – tha Benedikti XVI - e megjithatë i ftoi të krishterët ta mbrojnë këtë të vërtetë pa u lodhur e pa u çkurajuar dhe i nxiti të japin kontributin e tyre për ndërtimin e një Evrope të re.
“Ju e dini – vijoi Shenjtëria e Tij - se me ndihmë të Zotit, e keni për detyrë të kontribuoni në ndërtimin e Evropës së re, realiste por jo cinike, të pasur me ideale e të çliruar nga ëndrrat foshnjore, të frymëzuar nga e vërteta e përhershme e jetëdhënëse e Ungjillit”.
Prandaj Benedikti XVI i ftoi gjithë të krishterët të jenë aktivisht të pranishëm në jetën publike në nivel evropian, të vetëdijshëm se ajo tashmë është pjesë përbërëse e jetës kombëtare.
Mos u përkulni para logjikës së pushtetit të parë si qellim në vetvete – bëri thirrje Papa. - T’ju nxisë e t’ju ndihmojë gjithnjë qortimi i Krishtit: “Në se kripa e humbet shijen, s’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet e ta shkelin njerëzit’.
Uroj – tha në vijim Ati i Shenjtë - që Zoti t’i bekojë të gjitha përpjekjet tuaja e t’ju ndihmojë t’i njihni e t’i vlerësoni elementet pozitive të qytetërimit të sotëm, duke mos harruar të denonconi me guxim gjithçka që i bie ndesh dinjitetit të njeriut.
Jam i sigurtë – përfundoi Ati i Shenjtë – se Zoti do ta bekojë çdo përpjekje të njerëzve që punojnë me frymën e shërbimit për ndërtimin e shtëpisë së përbashkët evropiane, duke dhënë ndihmesën e tyre kulturore, shoqërore e politike për të mirën e përgjithshme. Papa i siguroi të gjithë ata që aktivizohen në mënyra të ndryshme në një sipërmarrje të tillë njerëzore e ungjillore, se nuk do t’u mungojë kurrë mbështetja dhe inkurajimi nga ana e Tij dhe e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.