2007-03-22 17:15:51

Të çahet rrethi i pakomunikueshmërisë, duke rilidhur fijen e këputur të dialogut në botën e mjeteve të komunikimit: refleketim i drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardit.


(22.03.2007 RV)Të rifillojë dialogu i madh i së vërtetës në botën e mjeteve të komunikimit: këtë e ka uruar më se një here Benedikti XVI. Papa kërkon që mediat të garantojnë gjithnjë kronikën e saktë të ngjarjeve, shpjegimin shterrues të argumenteve me interes publik dhe ndershmërinë në paraqitjen e këndvështrimeve të ndryshme, për të qenë kështu protagonistë të së vërtetës e pararendës të paqes. Të dëgjojmë reflektimin e drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardit: RealAudioMP3
“Që prej disa muajsh kush ndjek shtypin e, në përgjithësi informacionin në Itali, ndodhet përballë një lumi të pandërprerë diskutimesh të llojeve të ndryshme, që lidhen drejtpërdrejtë ose tërthorazi me debatin e çifteve të faktit.
Kush punon në botën e komunikimeve shoqërore e kupton menjëherë se shpesh këto diskutime kanë një bazë objektive, por nuk është i rrallë edhe zmadhimi ose manipulimi i fjalëve, i teksteve ose i qellimeve të asaj që konsiderohet pala kundërshtare. Manipulimi herë është pasojë e pasionit të njëanshëm, e herë tjetër, i qellimshëm e i llogaritur mirë. Të rikrijohet përshtypja se po burgosemi gjithnjë më tepër në një rreth të mbrapshtë: dëgjimi dhe respektimi i bashkëbiseduesit bëhet përherë më i vështirë, ndërsa kuptimi i qellimeve të vërteta të tjetrit, praktikisht i pamundur. Dialogu tashmë duket fjalë boshe. Shumë do të dëshironin ta modifikonin këtë situatë, por nuk dinë nga t’ia nisin: kanë frikë se do të manipulohen pa hapur mirë gojën. Bëhet gjithnjë më e përhapur një ndjenjë pafuqishmërie.
Ka mundësi që ndokujt edhe t’i vijë mirë për mungesën e popullaritetit të Kishës. Meskiniteti e dritëshkurtësia e një sjelljeje të tillë është tepër e neveritshme e nuk e meriton të merresh me të. E kjo, sepse problemi na përket të gjithëve, të gjithë shoqërisë italiane edhe kur nuk lidhemi drejtpëdrejtë – në këtë rast – me Kishën ose me personazhet e saj. Ka të bëjë me aftësinë e përbashkët për të debatuar në mënyrë konstruktive për tema të rëndësishme, që i shërbejnë të mirës së përbashkët, duke mos lejuar të mbyllemi në burgun e kundrapozicioneve pa rrugëdalje.
Prandaj në këtë çast bëhet urgjente aftësia e vetkontrollit të reagimeve tona, vëmendja për të mos ngritur tonet, për të respektuar më shumë atë që thotë bashkëbiseduesi, për të llogaritur kontekstin ose natyrën e dokumenteve. Duhen bërë përpjekje jo të zakonshme – duke pasur parasysh se e jashtzakonshmja po bëhet e zakonshme - të natyrës etike profesionale për komunikatorët dhe për drejtuesit e tyre, që krijojnë mundësinë e hapjes reciproke ndërmjet pozicioneve të ndryshme politike e shoqërore.
Është një diskutim që mund të duket moralistik. Por kush punon në botën e komunikimit shoqëror e di mirë sa konkret është. Edhe pa arritur në rastin e shtrembërimeve të qellimta të veprimeve ose të fjalëve të të tjerëve, ky diskutim ka të bëjë me zgjedhjen e argumenteve që duhen prekur, të titujve, të mesazheve, të ndërtimit të debateve. Ku duam të shkojmë? Shumë herë Kisha është treguar pjesëmarrëse e gjallë e e vëmendshme në jetën shoqërore italiane, ndonëse ndokush mund të mendojë se do të ishte mirë të mos përzihej ose t’i prishte marrëdhëniet me shoqërinë. E pastaj problemi është më i gjërë, ka të bëjë me degradimin e përgjithshëm të aftësive për ballafaqim civil e ndërtues në perspektivën e së mirës së përbashkët. E si i tillë, është problem që u përket të gjithëve: katolikëve e laikëve, besimtarëve e jo besimtarëve, e askush nuk mund ta ndjejë veten dorëjashtë. Edhe Radio Vatikani nuk ndjehet dorëjashtë dhe impenjohet të japë kontributin e vet me ndershmëri e guxim, por gjithnjë duke u përpjekur të respektojë qëndrimet e qëllimet e tjetrit. Është një impenjim i nevojshëm e i detyrueshëm, i bërë me qellim që përfshirja e Kishës në shoqërinë tonë të kuptohet përsëri më mirë në natyrën e saj, që është të bëjë propozime e të shërbejë për të mirën e të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.