2007-03-22 18:28:03

Në prill statusi i Kosovës në Këshillin e Sigurimit.


(22.03.07 RV)Debati për Kosovën në Këshillin e Sigurimit do të fillojë në ditët e para të prillit. Ndarjet në gjirin e 15 anëtarëve kanë bërë që diskutimi i parashikuar për fundin e marsit të shtyhet në prill. Njëkohësisht në prill, kryesia e Këshillit të Sigurimit kalon nga duart e jugafrikanit Dumisani Kumalo, në ato të përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, Emir Xhons Perri.
Sipas agjensisë amerikane të lajmeve AP, e cila ka arritur të sigurojë një sintezë të planit të Ahtisarit, ai u jep kosovarëve pavarësinë reale në përfundim të periudhës së tranzicionit, gjatë së cilës qeveria e Prishtinës duhet të plotësojë një seri kushtesh. Brenda 120 ditëve nga miratimi i planit, Kosova duhet të votojë për një kushtetutë nën mbikqyrjen e një Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil. Brenda 9 muajsh duhet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale. Plani parashikon edhe shpërndarjen e Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe krijimin e një Force Sigurie me 2500 anëtarë aktivë e 800 rezervistë.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mendimit se çështja e Kosovës nuk paraqet precedent për rajonet e tjera, sidomos për zonat e nxehta në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik. Në një tekst të botuar nga Departamenti amerikan i shtetit pohohet se Kosova është një rast unik, i papërsëritshëm.


Ministri i jashtëm i Francës, Filip Dust-Blazi arriti sot në Prishtinë, ku takohet me zyrtarët më të lartë kosovarë dhe ndërkombëtarë. Temë e diskutimeve - plani i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari për statusin e Kosovës. Pas Prishtinës, Dust – Blazi viziton Beogradin dhe Podgoricën.








All the contents on this site are copyrighted ©.