2007-03-22 17:15:37

Ati i Shenjtë porosit: ‘Në kujdesin për të sëmurët duhet të na udhëheqë gjithnjë dashuria e Krishtit’.


(22.03.2007 RV)RealAudioMP3 Në mjekimin e të sëmurëve dëshmojmë dashurinë e Hyjit. Puna baritore në fushën e shëndetësisë është një veprimtari thellësisht ungjillore e të kujton menjëherë kujdesin e Krishtit, Samaritanit të mirë, për njerëzimin. Këtë nëvizoi Benedikti XVI gjatë audiencës së sotme me pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Këshillit Papnor për baritorinë e punonjësve të shëndetësisë, që nisi të martën e kaluar e përfundoi sot në Domus Sanctae Marthae në Vatikan. Papa kujtoi posaçërisht se Jezusi e shoqëronte gjithnjë predikimin e vet me shërimin e të sëmurëve, mësim ky gjithnjë aktual:
“Shëndeti i njeriut ishte një shenjë që Jezusi e zgjodhi për të treguar afërsinë me Hyjin, dashurinë e tij përdëllyese, që shëron shpirtin e korpin. Kjo, të dashur miq, duhet të jetë gjithnjë pika themelore e referimit tuaj në çdo nismë: ecja në gjurmët e Krishtit, të cilin ungjijtë na e paraqesin si mjek hyjnor”.
Kështu u shpreh Ati i Shenjtë, i cili më pas porositi që në mjekimin e të sëmurit të vlerësohet parimi etik natyror i detyrës, mbi bazën e të cilit duhet mbrojtur çdo jetë njerëzore. Ky parim –shtoi Papa – ripohohet e fuqizohet nga urdhërimi i dashurisë, zemër e mesazhit të krishterë. Prandaj Ati i Shenjtë, duke kërkuar nga punonjësit e krishterë të shëndetësisë ta lidhin ngusht cilësinë e shërbimit të tyre profesional me virtytin e dashurisë, nënvizoi:
“Pikërisht duke e kryer mirë punën e tyre, ata e bëjnë të dukshme mes njerëzve dëshminë e dashurisë së Krishtit”.
Më pas, duke kujtuar se historia e Kishës është plot me dëshminë e kësaj dashurie, Papa u kujtoi punonjësve të krishterë të shëndetësisë Eukaristinë:
 “Pikërisht tek Eukaristia – tha Papa - punonjësit e shëndetësisë mund të marrin vazhdimisht forcë për ta ndihmuar vërtetë njeriun. Në spitalet e në shtëpitë e mjekimit, Kapela është zemra që rreh, në të cilën Jezusi i dhurohet pambarimisht Atit qiellor për jetën e njerëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.