2007-03-21 17:50:16

Në audiencën e përgjithshme Benedikti XVI theksoi se mitet e relativizmit etik janë “dredhime djallëzore” në krahasim me të vërtetën e Ungjillit.


(21.03.2007 RV)RealAudioMP3 “Krishti pohoi se është e vërteta e jo zakoni” Në kundërshtim me këtë të vërtetë, mitet e modat që i zënë vendin njëra-tjetrës në epoka të ndryshme, janë rituale artificiale, që nuk kanë të bëjnë fare me Ungjillin. Kjo ndodhte dymijë vjet më parë, kur në zanafillë të krishterimit disa shkrimtarë qenë ngarkuar të mbronin parimet e vlerat e tij – e ndodh edhe sot, sepse të njëjtat parime e vlera vihen në shënjestër nga relativizmi etik. Këtë na mëson Shën Justini, shkrimtar apologjet, apo mbrojtës i krishterimit, në vitin 100 pas Krishtit, martir rreth vitit 165 nën Dioklecianin, të cilit Benedikti XVI i kushtoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme. Shkrimet e mbrojtësve të krishterimit si Shën Justini – shpjegoi Papa – kishin dy qëllime: Të mbronin krishterimin në fasha nga akuzat e rënda të paganëve e të hebrenjve dhe t’ua shpjegonin fenë me një gjuhë sa më të kuptueshme atyre që dëshironin ta njihnin:
“Me fenë pagane, të krishterët e parë refuzuan çdo lloj kompromisi. E mbanin si idhujtari, pa frikë se do të akuzoheshin si të pafe e të pazot. Posaçërisht Justini, sidomos në Apologjinë e tij të parë, kritikoi ashpër fenë pagane e mitet e saj, të cilat i konsideronte dredhime nga rruga e së vërtetës”
Të krishterët e parë iu kundërvunë me forcë paganizmit, por jo filozofisë greke, të cilën e konsideruan “truall” të përshtatshëm për takimin me fenë e krishterë. Besëlidhja e Vjetër dhe mendimi grek – pohoi Papa – janë dy rrugët që të prijnë drejt takimit me Krishtin e me Logos, dmth me Krishtin si Fjala e vërtetë. E kjo e vërtetë, që i mungonte fesë pagane, të përqendruar tek miti, e dënoi vetë paganizmin, duke shkaktuar perëndimin e tij.
“Ky perëndim rridhte si pasojë logjike e shkëputjes së fesë, që ishte katandisur në një grumbull kremtimesh, dokesh e zakonesh - nga e vërteta. Justini e me të apologjistët e tjerë, shprehën qëndrimin e fesë së krishterë për Zotin e filozofëve, kundër zotave të rremë të fesë pagane. Zgjodhën kështu të vërtetën, duke iu kundërvënë mitit të zakonit”.
Krishti, pra është e vërteta, e jo zakoni, fjalë që në ditët tona mund të përkthehen ‘moda kulturore e kohës’.
“Në një epokë si jona, në të cilën realtivizmi ndikon fuqimisht në diskutimin mbi vlerat, mbi fenë dhe mbi dialogun ndërfetar - ky është një mësim që nuk duhet harruar. Prandaj – tha Papa - po jua propozoj sërisht e po përfundoj me fjalët e plakut misterioz, që Shën Justini e takoi në breg të detit. “Ti lutu që të të hapen portat e dritës, sepse askush nuk mund të shikojë, as të kuptojë, në se Zoti e Krishti i tij nuk e lejojnë të kuptojë”. Papa e përfundoi audiencën duke kujtuar se më 24 mars bashkësia ndërkombëtare do të kremtojë Ditën botërore të luftës kundër tuberkulozit, sëmundje nga e cila çdo vit vdesin më se dy milionë vetë dhe, si u shprehu solidaritetin e tij tuberkulozëve, bëri thirrje që të mos u mungojnë mjekimet as kujdesi nga ana e familjes, e Kishës dhe e shoqërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.