2007-03-21 17:36:37

Kosova: Moska i thotë "po" OKB-së vetëm nëse merren vesh Prishtina e Beogradi.


(21.03.07 RV)Moska do ta mbështesë vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Kosovën vetëm nëse ai do të pranohet si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi. Kështu foli sot ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov për agjensinë ruse të lajmeve Itar-Tass.
Sipas tij, çdo gjë varet nga pakoja me propozime që do të votohet në Nju Jork. “Nëse ndonjë gjë nuk është e pranueshme për njërën prej palëve, do të jetë e papranueshme edhe për ne”, shton Lavrov, pa marrë parasysh se nëse do të ishin marrë vesh më parë, serbët e kosovarët nuk do të kishin pasur nevojë për Rusinë. Kujtojmë se Ahtisari pati deklaruar se nuk ekziston një terren i përbashkët për dialog, prandaj çështja e Kosovës i kalon Këshillit të Sigurimit.

Vjena edhe një herë qendër diskutimesh për të ardhmen e Ballkanit. Me iniciativën e Institutit për Rajonin e Danubit dhe Evropën Qendrore dhe të Nismës Ekonomike sot në kryeqytetin austriak u mbajt një konferencë për Kosovën. Tri qenë fushat kryesore të shkëmbimit të opinioneve: politika, ekonomia dhe shoqëria. Përveç specialistëve kosovarë, mes të cilëve Veton Surroi, anëtar i ekipit të unitetit dhe kryetar i partisë ORA, në konferencë diskutuan edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, të Agjencisë Austriake për Zhvillim Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe të disa institucioneve të tjera ekonomike në Vjenë.







All the contents on this site are copyrighted ©.