2007-03-21 17:50:05

Evropa e bashkuar, ide e krishterë. Papët dhe udha drejt Bashkimit Evropian në 50-vjetorin e nënshkrimit të Traktateve të Romës.


(21.03.2007 RV)RealAudioMP3 Në javën gjatë së cilës kremtohet 50-vjetori i Traktateve të Romës, po sintetizojmë mendimin e Papëve, nga Piu XII tek Benedikti XVI, që folën, shkruan e punuan për ndërtimin e shtëpisë së përbashkët evropiane.
“Asgjë nuk humbasim me paqen. Gjithçka mund të humbasë me luftën”! Është data 24 gusht 1939 kur Piu XII i drejtoi njerëzimit këtë thirrje të fuqishme. Mbi Kontinentin e vjetër frynte era e luftës e Papa Paçeli i bëri thirrje forcës së arsyes, shpirtit të Evropës, vepër e fesë dhe e gjenisë së krishterë. Përvoja dramatike e Luftës II Botërore ndikoi përfundimisht mbi vizionin e Papës Paçeli për bashkimin evropian. Piu XII kërkoi që të krishterët të jenë protagonistë në ndërtimin e një Evrope të re. Ta dëgjojmë thirrjen e tij në radiomesazhin për Krishtlindjen e vitit 1953:
“Ne i nxisim politikanët e krishterë për veprim brënda vendeve të tyre. Në se rendi nuk mbretëron në jetën e brëndshme të popujve, është e kotë të presim bashkimin e Evropës dhe sigurinë e paqen në botë”.
Piu XII nisi të interesohet për ndërtimin e një Evrope federaliste dhe, më 1948, i ftoi të gjitha kombet evropiane të bashkohen realisht në një federatë të vetme.
Gjoni XXIII eci në gjurmët e Paraardhësit përsa i pëket institucioneve evropiane. Në vitet e vështira kur u ndërtua Muri i Berlinit dhe, me krizën e Kubës, u ndje rreziku i një krize bërthamore, Papa Ronkali pohoi me forcë se nuk ishte dakord me ata që e konsideronin të pamundur sigurimin e paqes. Enciklika Pacem in Terris, botuar në vitin 1963, kujton vlerën absolute të njeriut dhe dënon ashpër luftën, të cilën e quan krejtësisht të paarsyeshme. Në Kontinentin e ndarë përgjysëm me perde të hekurt, Gjoni XXIII i bën thirrje Evropës të mos izolohet, por të jetë solidare me kontinentet e tjera dhe, me impenjim të fortë ekumenik, kërkon atë që bashkon, e jo atë që ndan.
Pali VI, i zgjedhur më 1963, në stinën konciliare, duke ecur në gjurmët e Piut XII e të Gjonit XXIII, shpall Shën Benediktin e Norçës Pajtor të Evropës, duke ripohuar kështu rrënjët e përbashkëta të krishtera të Kontinentit, i cili me kalimin e viteve dukej sikur po largohej nga parimet dalluese e gjallëruese të qytetërimit të vet. Ja edhe fjalët që Pali VI ua tha etërve benediktinë të Montekasinos në tetor 1964:
“Fakti, tepër i madh e i rëndësishëm, ka të bëjë me vetë ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë sonë të vjetër, gjithnjë plot gjallëri, por që sot ka shumë nevojë të thithë limfë të re nga rrënjët e saj, të cilat i patën dhënë forcë e shkëlqim”.
Fillojnë vitet e zhvillimit të vrullshëm ekonomik, por edhe të komunizmit. Pali VI nuk e humbet guximin, ndonëse e kupton se janë larg kohët kur, nën Piun XII, Kisha mund të mbështetej mbi një katolicizëm masiv. Papa Montini, ashtu si Paraardhësi i tij, është i bindur se bashkimi i Evropës është mjeti më i frytshëm për t’i garantuar Kontinentit paqen e zhvillimin, koncepte mbi të cilat ngrihet enciklika e tij ‘Populorum progressio’. Gjatë papnisë së Palit VI, Kisha arrin rezultate me vlerë të posaçme. Në saje të Ostpolitik të promovuar nga kardinali Agostino Kazaroli, nis të lidhë marrëdhënie diplomatike me vendet komuniste dhe merr pjesë në Konferencën e Helsinkit për Sigurinë e Bashkëpunimin në Evropë. Në Aktin përfundimtar, meritë kjo e delegacionit të Vatikanit, përfshihet parimi i lirisë fetare. Pali VI propozon përsëri që në qëndër të vihet mesazhi i krishterë, si trashëgimi simbolike e Evropës dhe kërkon nga Kontineti i vjetër ta ndihmojë pa interes Afrikën.
RealAudioMP3 Papnia e Gjon Palit II pati rëndësi të dorës së parë për fatet e Evropës në fasha. 16 tetori i vitit 1978 shënoi një ngjarje të jashtzakonshme për të gjithë: Pasardhës i Shën Pjetrit u zgjodh një kardinal katolik nga Polonia, që prej tridhjetë vjetësh nën thundrën e regjimit komunist. Papa i ri pati vizion profetik edhe për Evropën. Kur askush nuk besonte se do të shembeshin muret, Karol Vojtila parashikonte një kontinent të ribashkuar politikisht e sidomos, shpirtërisht. Një Evropë e cila, më në fund, do të mund të merrte frymë me të dyja mushkëritë. Ishte objektiv që Papa e kërkoi me guxim përmes gjesteve të fuqishme simbolike: udhëtimeve në Atdhe; shpalljes së Shenjtorëve Çirili e Metodi bashkëpajtorë të Evropës e akoma, ndihmës që i dha sindikatës Solidarnosh dhe takimit historik me kryeministrin rus, Gorbaçov më 1989. Pikërisht viti i shembjes së Murit të Berlinit Papës Gjon Pali II iu duk më i përshtatshmi për të ripohuar rrënjët e krishtera të Evropës e për të vënë theksin mbi pajtimin ndërmjet katolikëve e ortodoksëve. Plot entuziazëm, Gjon Pali II thirri Sinodin për Evropën. Tani Kisha duhet të përballonte sfida të reja: pas shembjes së komunizmit, materializmi e konsumizmi nisën të minojnë themelet e krishtera të popujve evropianë. Papa foli për përhapjen e çkristianizimit, fenomen të cilit Kisha duhet t’i kundërvihej me ungjillëzimin e ri bindës. Nga ana tjetër, Papa Vojtila nënvizoi se vetëm duke rizbuluar trashëgiminë shpirtërore të Kontinetit të Vjetër, mund të fitohej mbi rilindjen e nacionalzimave që, siç dëshmoi konflikti në Ballkan, përfaqësojnë një forcë shkatrrimtare, të cilën Evropa duhet ta ketë mirë parasysh.
Ndërkaq procesi i integrimit vijoi deri në adoptimin e monedhës unike. Papa e përshëndeti me kënaqësi këtë proces dhe i ftoi evropianët të impenjohen në radhë të parë për bashkimin e thellë të vlerave, duke pasur frikë nga rreziku i humbjes të kujtesës së krishterë:
“Selia e Shenjtë ka qenë gjithnjë në favor të promovimit të Evropës së Bashkuar mbi bazën e vlerave të përbashkëta, që janë pjesë përbërëse e historisë së saj”.
“Nuk priten rrënjët nga të cilat ke lindur” – është komenti i hidhur i Papës Vojtila pas miratimit të Hyrjes së Kartës Kushtetuese Kontinentale, që nuk i përmend rrënjët e krishtera të qytetërimit evropian. Krishtërimi – vëren - dha një ndihmesë të shquar për formimin e vetëdijes së popujve evropianë, ‘fakt i pamohueshëm, të cilin asnjë historian nuk mund ta harrojë”.
Ngjarje vërtetë providenciale për Evropën ulja në fronin e Shën Pjetrit e një Pape gjerman, menjëherë pas Papës polak. Që nga zgjedhja e emrit, Benedikti XVI tregoi sa për zemër e ka trashëgiminë kulturore të Kontinentit të Vjetër. Është thesar që duhet zbuluar e vlerësuar, përballë ndikimit të shekullarizimit, të laicitetit që shndërrohet në laicizëm, dmth në ideologji e cila do të dëshironte ta shlyente elementin fetar nga jeta publike. Por Kisha – e Papa është i bindur për këtë – ka plotësisht të drejtë të marrë pjesë gjallërisht në debatin kulturor, sepse interesohet për gjithçka që ka të bëjë me njeriun:
“By valuing its Christian roots, Europe will be able to give a secure direction to the choices its citizens and peoples…”Në audiencën me parlamentarët e Partisë Popullore Evropiane, në mars të vitit 2006, Benedikti XVI numëroi parimet që nuk mund të vihen në diskutim, duke theksuar se mbrojtja e jetës, e familjes dhe e të drejtës së prindërve për të edukuar fëmijët nuk janë parime konfesionale, por të shkruara në vetë natyrën njerëzore. Kundër ‘diktaturës së relativizmit’ Benedikti XVI propozon përsëri me forcë humanizmin e ri, që buron nga takimi i fesë me kulturën. Është ky thelbi i fjalimit mbajtur në Regensburg, gjatë të cilit Papa u kujtoi popujve evropianë se Evropa lindi pikërisht nga takimi ndërmjet mesazhit biblik dhe mendimit grek. Krishtërimi lindi në Lindje, por – shpjegoi Benedikti XVI - gjurmët e tij vendimtare gjinden në Evropë. E dëshmojnë qartë monumentet e famshme, katedralet madhështore, shtatoret e pikturat me vlera të mëdha artistike, veprat letrare, nismat kulturore e sidomos shumë ngjarje të bashkësive të veçanta, të cilat pasqyrojnë bindjet e krishtera, të transmetuara brez pas brezi në Kontinentin e vjetër. E kjo, sepse mendësia evropiane e pranon më shpejt mesazhin ungjillor. Edhe papnia e Benediktit XVI, ashtu si e paraardhësit të tij, karakterizohet nga përparimi i ndjeshëm në rrugën e ekumenizmit. Për Benediktin XVI, rruga drejt bashkimit të të gjithë të krishterëve është mjet i rëndësishëm për përtëritjen e vetëdijes të Evropës mbi rrënjët e veta, sepse Evropa e bashkuar është ide kristiane!







All the contents on this site are copyrighted ©.