2007-03-20 17:37:31

Evropa e bashkuar, ide e krishterë. Papët dhe udha drejt Bashkimit Evropian në 50-vjetorin e nënshkrimit të Traktateve të Romës. (Pjesa I)


(20.03.2007 RV)RealAudioMP3 Në javën gjatë së cilës kremtohet 50-vjetori i Traktateve të Romës, po sintetizojmë mendimin e Papëve, nga Piu XII tek Benedikti XVI, që folën, shkruan e punuan për ndërtimin e shtëpisë së përbashkët evropiane.
“Asgjë nuk humbasim me paqen. Gjithçka mund të humbasë me luftën”! Ishte data 24 gusht 1939 kur Piu XII i drejtoi njerëzimit këtë thirrje të fuqishme. Mbi Kontinentin e vjetër frynte era e luftës e Papa Paçeli i bëri thirrje forcës së arsyes, shpirtit të Evropës, vepër e fesë dhe e gjenisë së krishterë. Përvoja dramatike e Luftës II Botërore ndikoi përfundimisht mbi vizionin e Papës Paçeli për bashkimin evropian. Piu XII kërkoi që të krishterët të jenë protagonistë në ndërtimin e një Evrope të re. Ta dëgjojmë thirrjen e tij në radiomesazhin për Krishtlindjen e vitit 1953:
“Ne i nxisim politikanët e krishterë për veprim brënda vendeve të tyre. Në se rendi nuk mbretëron në jetën e brëndshme të popujve, është e kotë të presim bashkimin e Evropës dhe sigurinë e paqen në botë”.
Piu XII nisi të interesohet për ndërtimin e një Evrope federaliste dhe, më 1948, i ftoi të gjitha kombet evropiane të bashkohen realisht në një federatë të vetme.
Gjoni XXIII eci në gjurmët e Paraardhësit përsa i përket institucioneve evropiane. Në vitet e vështira kur u ndërtua Muri i Berlinit dhe, me krizën e Kubës, u ndje rreziku i një krize bërthamore, Papa Ronkali pohoi me forcë se nuk ishte dakord me ata që e konsideronin të pamundur sigurimin e paqes. Enciklika Pacem in Terris, botuar në vitin 1963, kujton vlerën absolute të njeriut dhe dënon ashpër luftën, të cilën e quan krejtësisht të paarsyeshme. Në Kontinentin e ndarë përgjysëm me perde të hekurt, Gjoni XXIII i bën thirrje Evropës të mos izolohet, por të jetë solidare me kontinentet e tjera dhe, me impenjim të fortë ekumenik, kërkon atë që bashkon, e jo atë që ndan.
Pali VI, i zgjedhur më 1963, në stinën konciliare, duke ecur në gjurmët e Piut XII e të Gjonit XXIII, shpall Shën Benediktin e Norçës Pajtor të Evropës, duke ripohuar kështu rrënjët e përbashkëta të krishtera të Kontinentit, i cili me kalimin e viteve dukej sikur po largohej nga parimet dalluese e gjallëruese të qytetërimit të vet. Ja edhe fjalët që Pali VI ua tha etërve benediktinë të Montekasinos në tetor 1964:
“Fakti, tepër i madh e i rëndësishëm, ka të bëjë me vetë ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë sonë të vjetër, gjithnjë plot gjallëri, por që sot ka shumë nevojë të thithë limfë të re nga rrënjët e saj, të cilat i patën dhënë forcë e shkëlqim”.
Fillojnë vitet e zhvillimit të vrullshëm ekonomik, por edhe të komunizmit. Pali VI nuk e humbet guximin, ndonëse e kupton se janë larg kohët kur, nën Piun XII, Kisha mund të mbështetej mbi një katolicizëm masiv. Papa Montini, ashtu si Paraardhësi i tij, është i bindur se bashkimi i Evropës është mjeti më i frytshëm për t’i garantuar Kontinentit paqen e zhvillimin, koncepte mbi të cilat ngrihet enciklika e tij ‘Populorum progressio’. Gjatë papnisë së Palit VI, Kisha arrin rezultate me vlerë të posaçme. Në saje të Ostpolitik të promovuar nga kardinali Agostino Kazaroli, nis të lidhë marrëdhënie diplomatike me vendet komuniste dhe merr pjesë në Konferencën e Helsinkit për Sigurinë e Bashkëpunimin në Evropë. Në Aktin përfundimtar, meritë kjo e delegacionit të Vatikanit, përfshihet parimi i lirisë fetare. Pali VI propozon përsëri që në qëndër të vihet mesazhi i krishterë, si trashëgimi simbolike e Evropës dhe kërkon nga Kontineti i vjetër ta ndihmojë pa interes Afrikën.Vijnë pastaj vitet e një papnie tjetër me rëndësi të dorës së parë për fatet e Evropës së Bashkuar, papnisë së Gjon Palit II, për të cilën do të flasim në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.