2007-03-20 18:13:09

Ahtisari ka propozuar pavarësi për Kosovën, sipas "Le Monde".


(20.03.07 RV)I dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, në raportin e tij konfidencial, dorëzuar Këshillit të Sigurimit, ka propozuar pavarësi për vendin, njofton gazeta franceze “Le Monde”, e cila bën publike pjesë nga dokumenti. "Pavarësia nën mbikqyrjen ndërkombëtare është opcioni i vetëm i zbatueshëm", nënvizon ish-presidenti finlandez.
Sipas gazetës, Ahtisari ka shkruar se pas 8 vjetësh, "nuk është më e mundur të mbahet një administratë ndërkombëtare në vend”, por edhe "ri-integrimi në Serbi nuk është rruga që duhet të ndiqet”. "Pavarësia - vazhdon i dërguari i OKB-së - ofron garancinë e vetme kundër rrezikut të paqëndrueshmërisë” dhe është “shansi i vetëm për një marrëdhënie të mundshme me Serbinë".
Zyra e Ahtisarit, nëpërmjet zëdhënësit Remi Durlò, është munduar sot të interpretojë këto mendime të ish-presidentit finlandez si propozime për një pavarësi të kushtëzuar në Kosovë, duke theksuar se vetë Ahtisari nuk e ka bërë publik raportin e tij.
Dje, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ku u diskutua çështja e Kosovës, ambasadori rus braktisi seancën, pasi shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, në raportin e tij, u shpreh në favor të pavarësisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.