2007-03-17 13:51:38

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(18.03.2007 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e IV të Krezhmëve .
Përkujtoi edhe Shën Qirilin, ipeshkëv i Jeruzalemit e doktor i Kishës si dhe Shën Anselmin, ipeshkëv i Lukës.
Nesër, e hënë, do të kremtojë Shën Jozefin, fatin e Zojës së Bekuar, Pajtor i Kishës universale. Është dita e emrit të Papës Jozef Ratzinger.
Festa e Shenjtit na bind se mënyra si veproi Zoti me Shën Jozefin, është po ajo që përdor edhe sot: Hyji i gjen gjithnjë njerëzit e përshtatshëm, në çastet kur dëshiron të realizojë planet e tij, sepse Zoti i mban premtimet e veta.
Liturgjia e festës së Shën Gjon Nepomuçenit dhe Shën Klaudies të marten e ardhshme, të kujton se Jezusi është gjithnjë i gatshëm ta ndihmojë secilin prej nesh.
Shën Nikolla, Pajtor i Zvicërs, që do të kremtohet të mërkurën, na kujton se Zoti na do deri në atë pikë, sa të na dhurojë të Birin e vetëm, duke pranuar vdekjen e tij në kryq për të na çliruar ne nga vdekja e amshuar.
Liturgjia e Fjalës së Zotit, që do të ndjekim të enjten e ardhshme, në festën e Shën Leas, vejushë romake dhe të Shën Palit, ipeshkëv i Narbonës, na kujton se të kesh fe, do të thotë t’i besosh Zotit e të lëshohesh plotësisht në dorë të tij, edhe në çastet e rënda të provës, ashtu si bëri Moisiu. Duhet ta dimë mirë se e keqja nuk na vjen kurrë nga Zoti, madje ai na rri gjithnjë pranë e nuk na braktis kurrë.
Shën Turibi i Mogrovejos, ipeshkëv i Limës e Shën Rebeka, që do të kremtohen të premten, na kujtojnë se në këtë shtegtim krezhmor duhet të ndalohemi dhe një herë e të meditojmë mbi Jezusin e mbi veprat që kreu, për t’i besuar kështu me gjithë zemër e për t’i lartuar lutjen: “Dëgjoje, o Zot, britmën e njeriut të varfër, që të lutet!”. Shën Katerina e Suedisë, virgjër, e bija e Shën Brigjidës, që do të festohet të shtunën, na kujton se të ndjekësh Krishtin nuk është aspak punë e lehtë: mund të shkaktojë vuajtje të padurueshme, si ato të Jeremisë profet, të cilat na i kujton liturgjia e festës.







All the contents on this site are copyrighted ©.