2007-03-16 16:44:53

Kisha respekton kompetencat e shtetit, por e ka për detyrë të mbrojë të vërtetën mbi njeriun.


(16.03.2007 RV)Këtë theksoi sot Papa në audiencën me ambasadorin e ri peruvian, Alfonso Rivero Monsalve, të cilin e priti në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale.
Kisha, specialiste në humanitet, mëson se vetëm duke respektuar ligjin moral, që mbron dinjitetin e njeriut, mund të sigurohen paqja dhe progresi i vërtetë shoqëror – tha Benedikti XVI – dhe në vijim ripohoi se ajo do të vijojë të impenjohet që çdo peruviani t’i respektohen të drejtat e tij të patjetërsueshme. Katolikët në Peru – nënvizoi Ati i Shenjtë – duhet të bëhen tharm i mesazhit të krishterë në institucionet shoqërore e në jetën publike, për të kontribuar kështu në ndërtimin e një shoqërie më vëllazërore. Si kujtoi se globalizimi ndikon drejtpëdrejtë mbi njeriun dhe mbi vlerat e tij - Papa i ftoi qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare të punojnë për zhvillimin e të gjithë popujve, duke u impenjuar për të mirën e përbashkët me frymën e vërtetë të solidaritetit. Më pas ripohoi se Kisha i njeh kompetencat e shtetit në çështjet shoqërore, politike dhe ekonomike, por pa harruar kurrë se detyra e saj, që buron nga misioni ungjillëzues, është mbrojtja dhe përhapja e së vërtetës mbi njeriun. Nënvizoi kështu se dinjiteti i njeriut dhe i jetës nga zënia, në mbarimin e natyrshëm, duhen kujdesur e mbrojtur, ashtu si pohon edhe Kushtetuta peruviane.







All the contents on this site are copyrighted ©.