2007-03-15 18:03:03

Përkujtojmë 132- vjetorin e lindjes së Faik Konicës.


(15.03.2007 RV)Faik Konicën (Konicë, 15 mars 1875 – Uashington 14 dhjetor 1942), një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe të letërsisë shqiptare, po e kujtojmë sot me fragmentin e shkëputur nga studimi i Martin Camajt ‘Mbi funkcionin e gjuhës së Nolit dhe të Konicës’, mbajtur në Seminarin e parë ndërkombëtar i Federatës panshqiptare ‘Vatra’, Nju Jork më 1969:
“…Mbas luftës në vendin tonë Konica u përjashtue zyrtarisht nga letërsia dhe rrjedhimisht edhe shkrimet e tija si modele gjuhësore-stilistike. Nuk mund të mohojmë ase të pohojmë se në mënyrë indirekte Konica ndikoi ase nuk ndikoi në zhvillimin gjuhësor të mbas luftës në Shqipni: edhe në këtë pikë përgjegjen do të na e japin studimet e ardhëshme.
Mjerisht shkrimet e Konicës, sikurse asht vu shpesh në dukje nga studiues të ndryshëm të letërsisë sonë, janë të shpërndame në katër krahë ndër revista e gazeta, sot fare të rralla. I pamundun asht prandej edhe kategorizimi i këtyne shkrimeve dhe filli i zhvillimit të Konicës si shkrimtar. Nji ribotim i Konicës me nji syzim kritik do të ishte ma se i nevojshëm. Por, … dihet nga përvoja se gjallnimi në tanësi e nji vepre të një shkrimtari nuk varet as nga botimet ma luksoze, as nga fjalët ma të zgjedhuna të kritikës letrare, por nga interesimi i bashkëkohorëve dhe i breznive, nga leximi dhe shijimi i saj prej nji publiku. Mbas hamendje, edhe mosinteresimi i lexuesve shqiptarë ia paralizoi pendën këtij stilisti të shkëlqyeshëm shqiptar. Noli e Fishta, tue qenë se ishin pjesëtarë organizimesh fetare komplekse, e patën ma lehtë të ndigjoheshin e të lexoheshin nga nji publik i gjanë. Në këto rrethana inkurajuese ata dhanë nji varg veprash, të cilat edhe u ribotuen.
… nuk dalim jashta temës së paraqitun ma nalt nëqese përmendet sado përciptas komunikimi apo ndërlidhja e shkrimtarëve tanë me botën e gjanë shqiptare. Dukunia në vetvete, e kuptueme si dialog mes artistit e publikut, asht objekt studimi ndër analizat moderne të kritikës së artit në përgjithësi dhe të historisë së letërsisë posaçe. Pikërisht kjo ndërlidhje mes shkrimtarit dhe lexuesit shqiptar në kohën e Rilindjes sonë kombëtare dha frytet ma të mrekullueshme dhe vuni bazat e bashkimit dhe të krijimit të shtetit shqiptar. Ky komunion shenon njikohësisht dhe lindjen e kulturës dhe të letërsisë vërté shqiptare.
Konica provoi apo ndjeu ma tepër se asnji shkrimtar tjetër yni pakujdesinë e lexuesit dhe, si e dini, kjo sjellje e bashkëvendasve e pezmatoi për së tepërmi, sa të reagonte me shkrim ma randë se sa nji njeri i idhnuem e i fyem, me gojë. Por nuk duhet harrue se ai e kuptoi gjendjen e lexuesit shqiptar dhe në nji vend tjetër porosit librin shqip si shplodhje mbas punës së vështirë të ditës: “Edhe né, të lodhur nga mundimet e jetës, le të qëndrojmë si udhëtari i Saharës në një oasis, dhe të këndojmë nga përrallat që tregon në hien e hurmave”.Ftesë aktuale kjo – përfundojmë ne – që na kujton se nderimi më i madh që mund t’i bëjmë Konicës, gjithnjë aktual në 132 vjetorin e lindjes, është të largohemi një ças nga mundimet e jetës e t’ia këndojmë veprën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.