2007-03-15 18:23:19

Ndërsa paraqitet propozimi i Ahtisarit në OKB, Rusia kërkon të fitojë kohë për serbët.


(15.03.07 RV)Rusia është e vendosur të dobësojë e vonojë, por jo edhe ta bllokojë pa tjetër planin e mbështetur nga perëndimi rreth të ardhmes së Kosovës.
Sipas një analize të agjensisë britanike të lajmeve Rojters, Moska e konsideron të parakohshëm vendimin për ta dërguar propozimin e Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por ka shmangur deklaratën e hapur për përdorimin e vetos. Ideja e Kremlinit është ndarja e planit më dysh. Fillimisht, shqiptarët duhet të përmirësojnë kushtet për pakicën serbe në Kosovë, e vetëm në një fazë të dytë mund të diskutohet për dhënien apo jo të pavarësisë. "Pjesë e propozimit rus është të fillohet zbatimi i të ashtuquajturave pjesë teknike të pakos së Ahtisarit, duke filluar me decentralizimin dhe mbrojtjen e pakicave, në kuadrin e rezolutës aktuale 1244", citon Rojters Aleks Andersonin, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Taktika ruse, sipas tij, është shtyrja e marrjes së një vendimi, por edhe ndryshimet në pakon e Ahtisarit. Duket qartë se Moska kërkon të zgjasë “status quo”-në aktuale, në mënyrë që t’i japë mundësi Beogradit, t’ua shesë serbëve zgjidhjen për Kosovën si propozim që i jep të drejta pakicës serbe, duke e shtyrë diskutimin për pavarësinë në një fazë të dytë. Por, përfundon dipllomati i Grupit të Krizave, kjo do të na çonte drejt problemeve më të mëdha të sigurisë në vend.
Nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk do të miratojë një rezolutë të re për Kosovën, ka mundësi që vendi të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme. SHBA do ta njihnin atë menjëherë si shtet, por Bashkimi Evropian, sipas të gjitha gjasave, do të ndahej më dysh. “Ne akoma shpresojmë se Moska nuk do të rrezikojë një krizë më të madhe me Perëndimin”, deklaron Anderson për Rojtersin. Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur një datë të pashkruar për miratimin e një rezolute të mundshme për Kosovën. Ajo është qershori i këtij viti.







All the contents on this site are copyrighted ©.